Me fitore e nisi dhe me fitore synon që edhe ta mbyllë edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll më 2 qershor kishte fituar 2:0 ndaj Qipros në Larnaca. Tani e pret Qipron në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen që vlerësohet vendimtare. Jo për vendin e parë që ishte synimi, por për ta shmangur vendin e fundit, përkatësisht për të përfunduar në pozitën e dytë. Pozita e fundit në grup do të rrezikonte që Kosova të bjerë në Ligën D të Ligës së Kombeve.
Ndeshja Kosova – Qipro luhet të martën nga ora 20:45. Në të njëjtën kohë luhet edhe ndeshja tjetër e Grupit 2 të Ligës C në mes të Greqisë dhe Irlandës së Veriut.
Selektori i Kosovës, Alain Giresse, dukej optimist në konferencën për shtyp, të hënën. Giresse e ka parasysh rëndësinë e ndeshjes. Kosova me fitore konfirmon vendin e dytë, që e mban aktualisht me 6 pikë. I mjafton edhe barazimi për të mos përfunduar e fundit. Por me humbje Kosova do të rrezikonte të mbetej e fundit në grup, varësisht edhe nga rezultati i ndeshjes tjetër.
Greqia i ka 12 pikë dhe ka siguruar vendin e parë. Kosova pra është e dyta me 6 pikë, derisa Irlanda e Veriut dhe Qipro i kanë nga 5 pikë.
Në përballjen e së martës “Dardanët” futen pas humbjes që e pësuan në udhëtim te Irlanda e Veriut (2:1), ndërsa Qipro vjen pas fitores se madhe, 1:0, që e arriti në shtëpi ndaj Greqisë.
“E kemi ndeshjen e radhës dhe qëllimi ynë tashmë dihet, ta mbajmë pozitën e dytë në tabelë”, ishin fjalët e para të Giresses në konferencën për shtyp.
Tekniku francez foli edhe për gjendjen momentale të ekipit, ndërsa paralajmëroi se ndaj Qipros ka gjasa të mungojnë portieri Arijanet Muriq dhe mbrojtësi Amir Rrahmani. Muriq tha Giresse kanë dëmtuar nyjën e këmbës në Belfast, ndërsa Rrahmani mbetet në dyshim deri në momentet e fundit. Ai i mungoi Kosovës ndaj Irlandës së Veriut shkaku i lëndimit që e pësoi te Napoli. Ndërkohë, sa i përket pjesës tjetër të ekipit, Giresse ka thënë se të gjithë janë të gatshëm për lojë.
Në stërvitje Muriq nuk ishte fare, derisa Rrahmani ushtroi bashkë me grupin e lojtarëve.
“Nuk mendoj aspektin negativ, por vetëm pozitiv. Dhe, në këtë aspekt kemi punuar gjatë këtyre ditëve me ekipin që të jemi sa më gati për duelin me Qipron. Duke pasur parasysh situatën e ekipit, prioritet është ta fitojmë ndeshjen. Mirëpo, varësisht nga rrethanat e ndeshjes, ndoshta edhe mund të provojmë ndonjë lojtar të ri”, u shpreh Giresse. “Gjendja momentale e ekipit është se portieri Arijanet Muriq ka dëmtuar nyjën e këmbës në Belfast dhe nuk jam i sigurt nëse do të jetë i gatshëm për lojë. Po ashtu, në dyshim mbetet edhe Amir Rrahmani edhe pse është përmirësuar dukshëm. Do të vlerësojmë nëse do të ketë mundësi të luajë. Për lojtarët e tjerë nuk ka diçka specifike përveç lodhjes që e patën pas ndeshjes me Irlandën e Veriut”.
Giresse nuk foli për formacionin që pritet ta vendosë në fushë kundër Qipros. Insistoi se vetëm në ditën e ndeshjes do të vendosë për 11-shen me të cilën do t’i kundërvihet Qipros. Ai foli edhe për paraqitjen e Milot Rashicës në ndeshjen e luajtur në Belfast.
“I kemi dy pasiguri në ekip, portierin Muriq dhe Rrahmanin. Por, se me çfarë formacioni do të luajmë kundër Qipros, do të vendos në ditën e ndeshjes. Napoli në asnjë mënyrë nuk ka kërkuar që mos ta aktivizojmë Rrahmanin, por ne po e vlerësojmë gjendjen e tij pas lëndimit që e pësoi në ndeshjen kundër Milanit”, shtoi Giresse. “Lidhur me Rashicën, lojtari ka qenë i gatshëm për lojë kundër Irlandës së Veriut sikurse gjithë të tjerët dhe pati paraqitje korrekte. Po shpresoj që me klubin e tij të ri do të ketë minutazhë më të madhe”.
Giresse ka insistuar se asnjë trajner nuk mendon për dorëheqjen. Ka thënë se është i fokusuar në fitore.
“Sa i përket përvojës sime te Kosova, deri më tani jam i kënaqur me kushtet e punës që janë shumë të mira. Synimi im është të përparojmë dhe të ngrihemi në nivel tjetër, por edhe të sjellim lojtarë të rinj”, është shprehur Giresse. “Kur e përgatisim një ndeshje, e përgatisim për ta fituar, sepse askush nuk dëshiron humbje. A po mendoni që shumë trajnerë i përgatisin dorëheqjet e tyre? Fillimisht asnjë trajner nuk mendon ta humbë ndeshjen”.
Fitore ndaj Qipros pret edhe qendërmbrojtësi Mirlind Kryeziu. Ai theksoi se të gjithë lojtarët duan fitore në Prishtinë, në mënyrë që këtë edicion të Ligës së Kombeve ta mbyllin në pozitën e dytë. Edhe Kryeziu sikurse Giresse pranoi se dueli me Qipron është shumë i rëndësishëm. Kryeziu kishte munguar ndaj Irlandës së Veriut për shkak të kartonëve.
“E kemi parasysh se është ndeshje e rëndësishme për ta mbajtur vendin e dytë në grup dhe duam ta fitojmë për të mbajtur pikët e plota në Prishtinë. Ishim pak të zhgënjyer pas humbjes nga Irlanda e Veriut, pasi bazuar në lojën që e kemi luajtur rezultati nuk ka qenë real dhe nuk e kemi merituar humbjen. Por, këto ditët e fundit i kemi kaluar shumë mirë, kemi qëndruar bashkë dhe gjithçka ishte pozitive. Kështu që na mbetet ta fitojmë ndeshjen për ta mbyllur këtë edicion me fitore”, është shprehur Kryeziu. “I kemi analizuar gabimet nga ndeshja e parë, por e kemi analizuar edhe lojën e Qipros. Kështu që besoj se do të bëjmë një paraqitje edhe më të mirë dhe pa gabime”.
Kosova po e mbyll një kampanjë jo shumë të suksesshme, ndërsa së shpejti do të ketë ndeshje edhe më të forta. Do të nisë garimin në kualifikimet e rregullta për “Euro 2024”.