Sport

Shqipëria kërkon fitore në fund të një cikli të pasuksesshëm

Shqiperia - Liga e Kombeve
 

Për të ardhmen e Edoardo Rejës po diskutohet thuajse më shumë se për ndeshjen që Shqipëria e luan të martën ndaj Islandës. Për kuqezinjtë është ndeshja e fundit në kuadër të Grupit 2 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Kampanja në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve ishte e pasuksesshme. Shqipëria ka kërkuar vendin e parë në grup dhe promovimin në Ligën A, por Izraeli ishte bindshëm më i mirë.

Izraeli ka fituar dy ndeshjet me Shqipërinë dhe tashmë ka siguruar vendin e parë në grupin me tri përfaqësuese. I ka tetë pikë nga katër ndeshje. Islanda i ka tri pikë nga tri ndeshje, ndërsa Shqipëria e ka një pikë nga tri ndeshje. Në Grupin B2 është dashur të jetë edhe Rusia, por ajo u pezullua. Kështu Rusia bie në Ligën C për edicionin e ardhshëm, ndërsa Shqipëria e Islanda luftojnë për vendin e dytë në grup.