Sport

Ndryshime të kontestuara në krye të Federatës së Notit

Descriptive Text

Besnik Halili është zgjedhur kryetar i Federatës së Notit të Kosovës (FNK) në një kuvend ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të MKRS-së, por që vlerësohet i paligjshëm nga grupi tjetër që pretendon se ende udhëheq FNK-në. Zgjedhja e Halilit në krye të FNK-së është bërë të shtunën në Kuvendin ku ishin të pranishëm 28 delegatë të 16 klubeve të notit. Kundërkandidat i tij në Kuvend ishte Armend Shelani.

Para se Halili të merrte besimin e delegatëve, të njëjtët votuan për shkarkimin e kryetarit Astrit Haliti dhe drejtuesve tjerë të FNK-së.

Po të shtunën, pak orë pas mbajtjes së Kuvendit nga klubet e pakënaqura, Astrit Haliti e cilësoi të paligjshëm mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor, që u monitorua nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. MKRS-në e përfaqësuan drejtori i zyrës ligjore, Feim Hoxha, dhe zv.drejtoresha e Departamentit të Sportit, Afërdita Fazlija.

Në reagimin e Halitit, që veten e vlerëson kryetar legjitim, akuzohet se zv.ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, po tenton uzurpimin e Federatës. Ndarja e komunitetit të vogël të notit në dy pjesë ka ndodhur shumë kohë më parë. Dhe ndasia sa shkon e rritet.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i FNK-së u drejtua nga Bashkim Haxhimusa.

Haxhumusa tha se janë 30 delegatë të 16 klubeve që kanë nënshkruar thirrjen e Kuvendit, që sipas tij është i ligjshëm.

Krahas votimit për shkarkim të Halitit dhe drejtuesve të tjerë, është votuar edhe për pranimin e gjashtë klubeve dhe heqjen e suspendimit të dy klubeve.

Në fakt, Kryesia e Punës e Kpouvendit është thirrur në vendimin e KAS-it për kthimin e gjashtë klubeve nën ombrellë të FNK-së. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi që FNK-ja duhet t’i pranojë gjashtë klubet e notit që kishin bërë ankesë. FNK-ja nuk e respektoi vendimin dhe Bordi Ekzekutiv i KOK-ut e suspendoi.

Pasi mori mandatin nga delegatët e Kuvendit të jashtëzakonshëm, Besnik Halili falënderoi për besimin, ndërsa premtoi angazhim.

“Ju falënderoj përzemërsisht për besimin. Uroj që rrugëtimin tonë së bashku ta arrijmë me përmbylljen e misioneve tona, për stabilizimin e situatës në Federatën e Notit të Kosovës. Vazhdojmë me pikat e tjera pa humbur kohë”, ka thënë Halili.

KOHA ka provuar të kontaktojë me drejtorin e Zyrës Ligjore të MKRS-së, Feim Hoxha, dhe zv.drejtoreshën e Departamentit të Sportit, Afërdita Fazlija. Por të dy nuk ishin të qasshëm të dielën.

Ndërkohë nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është thënë se janë në pritje të raportit nga MKRS-ja.

“Komiteti Olimpik i Kosovës do të presë nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, si monitoruese e Kuvendit, të na dërgojë raportin e monitorimit dhe bazuar në këtë raport do të ndërmarrim veprime të mëtutjeshme”, thuhet në përgjigjën e KOK-ut dhënë KOHËS të dielën.

Por zhvillimet e fundit janë të paligjshme, sipas grupit që e drejton Astrit Haliti. Ai vlerëson se ende e udhëheq Federatën e Notit të Kosovës dhe se Kuvendi i së shtunës është i paligjshëm.

Në reagimin e gjatë të publikuar në faqen e Federatës së Notit të Kosovës në Ffacebook, e të firmosur nga Haliti, thuhet se po tentohet uzurpimi i Federatës. Gishti është drejtuar kah zv.ministrja e MKRS-së, Daulina Osmani. Haliti, po ashtu, ka shkruar se janë shkelur rëndë normat e Statutit të Federatës së Notit të Kosovës, si dhe ligjet e Kosovës.

“Ky kuvend u thirr nga një person i paautorizuar, i cili nuk ka asnjë funksion në organet drejtuese të Federatës, u thirr pa u mbledhur nënshkrimet e nevojshme prej 2/3 të delegatëve ashtu siç e parasheh Statuti i FNK-së, si dhe u mbajt me prezencën e disa klubeve të Federatës, të cilat janë të suspenduara dhe disa gjoja klubeve që kurrë nuk kanë qenë pjesë e Federatës së Notit. Por edhe ashtu kur shikohet nuk e kanë arritur as 50 % të numrit të delegatëve të Kuvendit të FNK-së”, thuhet në reagim.

Tutje në reagimin e FNK-së, përkatësisht grupit të Astrit Halitit, shkruan se zv.ministrja Osmani përmes këtyre individëve po tenton ta uzurpojë Federatën e Notit pa përfillur as Statutin, as rregulloret e FNK-së dhe as ligjet e Kosovës.

“Federata e Notit e Kosovës ju bën me dije se nuk do të mbeten pa u ndëshkuar të gjithë nga ky grup që tentuan uzurpimin në mënyrë të paligjshme të FNK-së, dhe se menjëherë do të dorëzojmë kallëzimin penal për iniciuesin, për zyrtarët e Ministrisë , si dhe për shtytësin e këtyre veprimeve të paligjshme i cili tashmë ka dalë në sipërfaqe”.

Në reagim thuhet, po ashtu, se për gjithë situatën e krijuar do të njoftohen Federata Ndërkombëtare e Notit (FINA) dhe Federata Evropiane e Notit (LEN), për, siç thuhet, ndërhyrjet politike nga MKRS-ja.