Sport

Hearn: Nuk ka gjasa të arrihet të hënën marrëveshja për meçin Fury – Joshua

Promotori i famshëm i boksit Eddie Hearn, ka thënë se nuk ka gjasa që të firmoset deri të hënën (nesër) kontrata për përballjen e madhe të peshës së rëndë në boks mes Tyson Furyt dhe Anthony Joshuas, raporton BBC.

Promotori i Furyt, kampionit të botës në versionin WBC, ka dhënë kohë deri të hënën të nënshkruhet kontrata për përballjen britanike mes Furyt e Joshuas.

Të premten, Fury tha se Joshua nuk do që të përballet me të, ndërsa 3 dhjetori ishte përmendur si datë e mundshme.

“Nëse Fury e do meçin, atëherë do t’i lë ekipet të flasin”, ka thënë promotori i Joshuas, Eddie Hearn.

Fury 34-vjeçar i ka ofruar Joshuas mundësinë për të boksuar, ndonëse Joshua pësoi dy herë rresht nga ukrainasi Oleksandr Usyk, duke i humbur titujt e botës në versionet WBA, WBO, IBF dhe IBO në peshën e rëndë.

Ekipi i Joshuas ka thënë se ka pranuar gjitha kushtet e marrëveshjes.

Ndërsa promotori i Furyt, Warren, tha se nuk ka ndonjë arsye pse të mos nënshkruhet kontrata deri të hënën.

Mirëpo, promotori i Joshuas, Hearn, ka thënë se ekipi i tij po e analizon kontratën, ndërsa ka thënë se priti plotë nëntë ditë për ta pranuar atë.

“Nëse ai nuk do të përballet me Joshuan, e mesa po e shoh nuk do, atëherë ai do të bëjë atë që bënë zakonisht dhe tifozët mund edhe të bien në këtë grackë. Por, me sa po e shoh, tifozët nuk po bien në të. Ne kemi një takim të hënën me DAZN, me BT dhe me të gjithë, kështu që duhet kohë. Nëse ai do të vërë të hënën si afat përfundimtar, atëherë është e qartë për gjithë publikun se ai nuk e do meçin. Nuk do të firmoset kontrata të hënën”, tha Hearn.