Sport

Portugalia fiton pastër, fituesi i grupit vendoset të martën

Portugalia ka shënuar fitore të pastër në udhëtim te Republika e Çekisë dhe kryeson grupin. Portugezët të shtunën mbrëma në stadiumin “Fortuna Arena” në Pragë, fituan me rezultatin 4:0.

Dy gola për portugezët i shënoi Diogo Dalot, në minutën e 33-të dhe të 52-të, ndërsa nga një gol realizuan Bruno Fernandes në minutën e dytë të shtesës në pjesën e parë dhe Diogo Jota në minutën e 82-të.

Te Republika e Çekisë, mundësi të artë për të shënuar lëshoi Patrick Schick, pasi dështoi të realizonte nga penalltia në fundin e pjesës së parë.

Portugalia prinë në Grupin 2 të Ligës A të Ligës së Kombeve me 10 pikë. Tetë pikë ka Spanja në vendin e dytë. Zvicra është e treta me gjashtë pikë, ndërsa e fundit është Republika e Çekisë me katër pikë.

Fituesi i këtij grupi do të vendoset të martën. Portugalia do të jetë nikoqire e Spanjës në Braga.