5 perditesime
19:53

Kosova mposhtet nga Irlanda e Veriut, rrezikon vendin e dytë në grup

Humbja në Belfast nga Irlanda e Veriut nuk ka qenë epilog real, ka thënë pas ndeshjes përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Alain Giresse.

Kosova të shtunën, pësoi disfatë me rezultatin 2:1 në stadiumin e mbushur me shikues, “Windsor Park”, në ndeshjen e parafundit të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve.

Me këtë disfatë, Kosova e rrezikon tani edhe vendin e dytë në grup, që ishte synim i përzgjedhësit Giresse pasi Greqia fitoi grupin. Kosova në vendin e dytë ka gjashtë pikë nga pesë ndeshje, vetëm një më shumë se Irlanda e Veriut.

Përzgjedhësi Giresse pas ndeshjes theksoi se nëse merren parasysh rastet që Kosova i pati në këtë ballafaqim, rezultati nuk është i drejtë.

“Rezultati është ky. Marrë parasysh lojën, nuk e meritonim humbjen, por ky është futbolli. Çdo lojë përbëhet nga dy pjesë. Pjesën e parë e kemi menaxhuar shumë mirë. Në pjesën e dytë pamë reagimin e Irlandës së Veriut. Më vjen keq që rastet e shumta nuk i kemi konkretizuar. Te rastet e humbura ka të bëjë pjesa teknike dhe mosreagimi i mirë. Mosshfrytëzimi i rasteve na solli në këtë situatë”, ka thënë Giresse, i cili e pranoi se duhet bërë punë më shumë në aspektin defensiv.

Golin e vetëm për Kosovën e realizoi sulmuesi Vedat Muriqi. Muriqi shënoi në minutën e 58-të dhe për të ishte goli i 21-të me Përfaqësuesen e Kosovës, në paraqitjen e 43-të me fanellën e “Dardanëve”.

Ai ka thënë pas ndeshjes se disfata nga Irlanda e Veriut duhet të lihet prapa, ndërsa takimin e së martës me Qipron në Prishtinë, e vlerëson si “jetë a vdekje”. Në fakt, pozita e dytë nuk ka ndonjë vlerë sa i takon garës.

“E dija që do të ishte ndeshje e fortë fizike dhe isha i gatshëm. Kisha duele me Jonny Evansin. Disa i humba e disa i fitova. Por ata morën rezultatin në fund dhe fituan ndeshjen. Tani do të bëhemi gati sepse e dimë që ndeshja ndaj Qipros, të mos e teproj, por është si jetë a vdekje. Po ta kishim fituar këtë lojë, ndoshta do të thosha se do të ishte më e lehtë edhe psikikisht, edhe fizikisht. Tash nuk kemi opsion tjetër. Në Prishtinë do të shkojmë vetëm për fitore, para tifozëve tanë”, është shprehur Muriqi, që të shtunën mbajti edhe shiritin e kapitenit në mungesë të Amir Rrahmanit. Mungesa e Rrahmanit është vërejtur shumë.

Irlanda e Veriut realizoi dy gola për nëntë minuta.

Gavin Whyte shënoi për barazimin e rezultatit në minutën e 82-të të ndeshjes, kurse në minutën e tretë të kohës shtesë, sulmuesi Josh Magennis, shënoi për fitoren e Irlandës së Veriut. Në të dyja rastet mbrojtja e Kosovës nuk reagoi mirë.

Për Irlandën e Veriut ishte fitorja e parë në Ligën e Kombeve. Pra fitorja erdhi në tentimin e 15-të.

Se Kosova në këtë ballafaqim luajti mirë vlerësoi edhe mesfushori Florent Muslija.

“Na vjen keq që e humbëm lojën në fund. Kemi bërë ndeshje të mirë. Kemi mundur ta fitojmë lojën, por kështu e ka futbolli ndonjëherë. Ne do të vazhdojmë tutje. Nuk patëm mungesë koncentrimi. Shënuam për 1:0 dhe besoj se u lodhëm edhe ne. Në fund kemi lënë shumë hapësira për kundërshtarin. Këto gjëra duhet që ne si ekip t’i përmirësojmë”, tha Muslija.“Pasi shënuam gol kishim sistemin e qëndrimit prapa, në defensivë për ta ruajtur rezultatin apo ta shënonim edhe golin e dytë”, përfundoi ai.

Ndërkohë Donat Rrudhani u shpreh se Kosova luajti mirë dhe i vjen keq për rastet e humbura.

“Kështu e ka futbolli. Kishim shumë shanse. Në pjesën e dytë sidomos luajtëm mirë, kaluam edhe në epërsi. Kishim shanse të qind për qindta, super shanse. Kishim edhe një rast para se të bëhej 2:1. Ne nuk shënuam, ata shënuan dy herë. Nuk besoj se ishte mungesë përqendrimi. Irlanda e Veriut në pjesën e dytë luajti lojë më shumë në ofensivë. Sulmuan më shumë se në pjesën e parë. Ne nuk arritëm t’i mbulojmë”, deklaroi Rrudhani.

Kosova të martën e mbyll edicionin e tretë të Ligës së Kombeve në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. E pret Përfaqësuesen e Qipros. Irlanda e Veriut udhëton te Greqia.

19:52

Magennis shënon për epërsinë e Irlandës së Veriut

Irlanda e Veriut ka kaluar në epërsi ndaj Kosovës në minutën e tretë të kohës shtesë. Sulmuesi Josh Magennis realizoi me kokë, duke e fituar duelin me Betim Fazlijin.

19:40

Barazon Irlanda e Veriut

Irlanda e Veriut ka barazuar shifrat në ndeshjen ndaj Kosovës. Vedat Muriqi pati mundësi për të shënuar në minutën e 81-të, por portieri ia priti tentimin. Menjëherë në aksionin vijues, dy zëvendësues irlandez kryen punë për barazimin e rezultatit.

Gavin Whyte shfrytëzoi gabimin e Betim Fazlijit dhe më pas e kaloi Fidan Alitin, për të asistuar për zëvendësuesin tjetër, Jordan Thompson, që e pati të lehtë të shënonte nga afërsia.

https://streamja.com/pPQ56

19:16

Muriqi me supergol i jep epërsinë Kosovës

Vedat Muriqi ka realizuar gol të shkëlqyer për Kosovën, që ka krijuar epërsi prej një goli në Belfast ndaj Irlandës së Veriut.

Muriqi pas afër një orë lojë, fitoi një duel me Jonny Evansin dhe me të djathtën e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 58-të.

Irlanda e Veriut shënoi në minutën e 55-të fillimisht, por goli i Dion Charlesit u anulua për pozitë jashtë loje.

 

18:48

Pa gola në pjesën e parë

Pa gola por me dominim të Kosovës është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes Irlanda e Veriut – Kosova, që po luhet në stadiumin “Windsor Park” në Belfast.

Kjo ndeshje i takon Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve, dhe është ballafaqimi i parafundit i edicionit të tretë të garës së UEFA-s.

Kosova pati disa mundësi shënimi nëpërmjet Florent Muslijajt, Vedat Muriqit, Fidan Alitit e Elbasan Rashanit.

Dion Charles ishte më i rrezikshmi te Irlanda e Veriut, por dy herë intervenoi sigurt portieri Arijanet Muriq.

Stadiumi në Belfast është i mbushur me tifozë.

Në rast të barazimit apo fitores, Kosova e siguron vendin e dytë në këtë grup. Irlanda e Veriut është në kërkim të fitores së parë në Ligën e Kombeve.

Irlandezët janë përballur me telashe të brendshme. Dy futbollistë janë përjashtuar.

Kosova e mbyll edicionin e tretë të Ligës së Kombeve të martën kundër Qipros, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

17:57

Nis ndeshja Irlandë e Veriut – Kosovë

Ka nisur takimi i vlefshëm për rundin e pestë të grupit C të Ligës së Kombeve mes Irlandës së Veriut dhe Kosovës, që po zhvillohet në stadiumin “Windsor Park”.

Kosova ka gjashtë pikë në vendin e dytë, ndërsa Irlanda e Veriut është e treta me dy pikë. E para është Greqia me 12 pikë, ndërsa Qipro është e fundit me dy pikë.

Në “Fadil Vokrri”, Kosova pati mposhtur 3:2 Irlandën e Veriut.