Sport

Kosova U21 fiton 1:0, selektori i Grenlandës shprehet krenar për “sensacionin e jashtëzakonshëm”

Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll e ka fituar 1:0 ndeshjen stërvitore ndaj Grenlandës. Ndeshja është luajtur të premten në bregdetin e Turqisë, ndërsa për të FFK-ja nuk ka lëshuar ende ndonjë informatë. Por është selektori i Grenlandës, Morten Rutkjaer që ka njoftuar për ndeshjen dhe rezultatin e saj.

Grenlanda ka luajtur ndeshje të rrallë ndërkombëtare. Madje Rutkjaer ka shkruar se për Grenlandën ishte ndeshja më e madhe ndonjëherë. Grenlanda nuk është pjesë e FIFA-s.

“Rrallë kam qenë aq krenar si trajner i futbollit si pas ndeshjes më të madhe ndërkombëtare të Grenlandës. Sensacion i jashtëzakonshëm pasi kemi humbur vetëm 1:0 nga Kosova e talentuar”, ka shkruar Rutkjaer.

Në fakt te Grenlanda vazhdimisht kanë theksuar se po përballen me Kosovën e jo me Kosovën U21.

“Ishim afër, por goli është shënuar 13 minuta para fundit. Kosova ka disa lojtarë që luajnë në ligat më të mira evropiane. Kemi luftuar për një apo një vit e gjysmë për të ngritur futbollin në Grenlandë dhe të shohim paraqitjen e sontme është e jashtëzakonshme. Jam shumë krenarë me këta djem që luftuan për Grenlandën dhe për ekipin. Jemi në fazën e ndërtimit dhe kemi shumë rrugë para. Por rezultati që morëm tregon se jemi në rrugën e duhur. Jam krenar”, ka shkruar Rutkjaer.