Sport

Trepça pa telashe ndaj Rahovecit, tani fokusohet në FIBA Europe Cup

Descriptive Text

Trepça ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll. Të premten mbrëma, skuadra mitrovicase e mposhti Rahovecin në palestrën “Mizahir Isma” me rezultatin 87:80.

Në fakt Trepça është shkëputur që në çerekun e parë dhe ka mbajtur epërsi dyshifrore thuajse gjatë tërë kohës. Çerekun e parë mitrovicasit e fituan me rezultatin 26:14.

Për Trepçën është fitorja e tretë rresht. Ndërkohë Rahoveci ka pësuar humbjen e dytë.

Ndeshja në Rahovec e hapi xhiron e tretë të Superligës.

Drilon Hajrizi ka udhëhequr Trepçën me 18 pikë, dhjetë kërcime e pesë asistime. Mikaile Tmushiq e Adam Grand i shënuan nga 15 pikë. Samiri Zekiqi po ashtu u shqua me 11 pikë, ndërsa Clevon Brown i kishte tetë pikë e pesë kërcime. Te Rahoveci, Chris Seeley e mbylli ndeshjen me 19 pikë e dhjetë kërcime. Devin Johnson realizoi 20 pikë e katër kërcime, ndërsa Musab Mala kontribuoi me 17 pikë e pesë asistime. Bardh Rexha i kishte shtatë pikë e katër kërcime.

Trepça tani ka pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur për ndeshjen debutuese në FIBA Europe Cup. Të martën në “Minatori”, Trepça takohet me skuadrën gjermane Goettingen. Ndeshja është çerekfinale e fazës kualifikuese.