Sport

Kosova kërkon fitore për ta konfirmuar vendin e dytë

Descriptive Text

(KD) - Synim i Kosovës dhe i përzgjedhësit, Alain Giresse, tani është që edicionin e tretë të Ligës së Kombeve ta përfundojë në pozitën e dytë në grup. Për ta konfirmuar vendin e dytë në Grupin 2 të Ligës C, “Dardanët” duhet ta mposhtin Irlandën e Veriut në ndeshjen e parafundit.

Përzgjedhësi Giresse në konferencën për shtyp të premten ka theksuar se pozita e dytë në grup është shumë e rëndësishme për Kosovën. Ai ka thënë se Kosova do të kërkojë rezultat pozitiv përballë Irlandës së Veriut.

Dueli mes Irlandës së Veriut dhe Kosovës zhvillohet në shtunën prej orës 18:00 në Belfast.

Aktualisht Kosova është e dyta në grup me gjashtë pikë, gjashtë më pak se Greqia që tashmë ka konfirmuar pozitën e parë dhe promovimin në Ligën B. Ndërkohë Irlanda e Veriut dhe Qiproja renditen në dy pozitat e fundit me nga dy pikë të grumbulluara.

Përfaqësuesja të premten në mëngjes mori rrugën drejt Irlandës së Veriut, ndërsa stërvitjen e fundit para ndeshjes e mbajti në mbrëmje, pas përfundimit të konferencës për shtyp.

“Nëse flasim për ndeshjen e nesërme, patjetër se është e rëndësishme për ne, sepse është ndeshje zyrtare e UEFA-s dhe vlerësohet në sistem të poentimit. Kështu që kemi të bëjmë me një ndeshje që ka rëndësi. Ne kemi ardhur këtu për të tentuar të marrim rezultat pozitiv në këtë përballje dhe shpresoj t’ia dalim”, tha Giresse. “Është e qartë që Greqia e ka fituar grupin, por për ne tani është e rëndësishme të konfirmojmë pozitën e dytë këtë kampanjë. Ky është synimi i ekipit tonë tani për tani, pra vendi i dytë në grup pas këtyre dy ndeshjeve të fundit që i kemi”.

Kosova fillimisht kishte synuar vendin e parë. Por pas dy disfatave nga Greqia, tani synim mbetet vendi i dytë. Kosova është në pozitë shumë të mirë sa i takon garës për vend të dytë në grup.

Në ndeshjen e parë Kosova e pati mposhtur Irlandën e Veriut në Prishtinë me rezultatin 3:2 në muajin qershor.

Mesfushori Bersant Celina pranoi se presin ndeshje të vështirë në Belfast. Celina, i cili u paraqit përkrah përzgjedhësit Giresse në konferencë, shtoi se “Dardanët” janë përgatitur maksimalisht gjatë tërë javës. Edhe Celina sikurse Giresse pranoi se kanë udhëtuar në Belfast për një rezultat të mirë.

“Jemi përgatitur gjatë tërë javës për këtë ndeshje. Do të jetë një duel shumë i vështirë, por ne jemi të gatshëm dhe të kënaqur të jemi pjesë e kësaj ndeshjeje të fortë. Do të tentojmë të japin më të mirën tonë dhe të marrim një rezultat të favorshëm”, është shprehur Celina. “E kemi parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë pasi Irlanda e Veriut është ekip agresiv. Megjithatë, edhe ne kemi synimet tona dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën në fushë”.

Celina shtoi se presioni është mbi Irlandën e Veriut në këtë ndeshje, duke pasur parasysh se është në kërkim të fitores së parë në Ligën e Kombeve. Ndërsa shtoi se vendasit do ta kenë edhe përkrahjen e fuqishme të tifozëve, gjë që mund t’ia vështirësojë punën dukshëm Kosovës.

“Ndoshta jemi ekip i vogël dhe shumë nuk kanë dëgjuar për ne. Mirëpo, Irlanda nuk duhet të jetë e poshtëruar nëse mposhtet prej nesh. E dimë që po ashtu në këtë ndeshje do ta ketë edhe përkrahjen e madhe të tifozëve dhe kjo vështirëson edhe më shumë gjërat për ne. Pres një ndeshje të fortë dhe emocionuese, andaj synimi është të marrim rezultat të favorshëm”, shtoi Celina. “Presioni do të jetë më shumë te Irlanda që është në kërkim të fitores së parë”.

Mesfushori me tipare sulmuese pranoi se të gjithë futbollistët janë paksa të zhgënjyer që në fund të kësaj kampanje të Ligës së Kombeve nuk do të jenë në pozitën e parë në grup, pasi dëshira e të gjithëve ishte promovimi në një ligë më lart.

“Kohët e fundit ndoshta nuk kemi pasur rezultatet e mira, por kemi ekip cilësor dhe do të mundohemi të japim më të mirën që të kthehemi te rezultatet e mira”, u shpreh Celina. “Kemi pasur besim se do ta fitojmë grupin dhe një ndjenjë të mirë edhe pse e dinim se nuk do të jetë lehtë. Sigurisht, që jemi të zhgënjyer që nuk do ta fitojmë grupin”.

Tri ditë pas ndeshjes me Irlandën e Veriut, Kosova e mbyll edicionin e tretë të Ligës së Kombeve me ndeshjen në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Qipros.