Sport

Baraclough kërkon ta mposhtë Kosovën për fitoren e parë në Ligën e Kombeve

Përzgjedhësi i Irlandës së Veriut, Ian Baraclough, ka insistuar se ai së bashku me ekipin e tij duhet t’i harrojnë rezultatet e muajit qershor dhe të fokusohen për ta siguruar fitoren e parë në Ligën e Kombeve. E këtë fitore, Baraclough po e synon ta arrijë në ndeshjen kundër Përfaqësueses së Kosovës. Irlanda e Veriut përballet me Kosovën të shtunën prej orës 18:00 në stadiumin “Windsor Park” në kuadër të Grupit 2 të Ligës B. Në konferencën e mbajtur për shtyp të premten, Baraclough ka ftuar tifozët që ta mbushin stadiumin dhe me përkrahje e atmosferë të zjarrtë ta ndihmojnë Irlandën e Veriut drejt fitores kundër Kosovës.

“Tifozët janë pjesë e madhe e lojës sonë dhe na motivojnë të sulmojmë sa më shumë për të shënuar gol. Mendoj se nëse e kemi përkrahjen e të gjithë stadiumit, futbollistët do të jenë edhe më shumë të motivuar për fitore. Në anën tjetër, atmosfera dhe përkrahja e tifozëve tanë mund të ketë efekt të kundër tek ekipi kundërshtar. Është e rëndësishme që ndeshjen ta nisim mirë dhe t’i bëjmë tifozët të ngrihen në këmbë për të na brohoritur dhe përkrahur drejt fitores në shtëpi”, është shprehur Baraclough.

Ai insistoi se e njeh shumë mirë Kosovën, e cila e mposhti Irlandën e Veriut 3:2 në Prishtinë gjatë muajit qershor. Po ashtu, shtoi se për këtë ndeshje, Irlanda e Veriut ka një ekip më të mirë dhe me më shumë përvojë se që e pati në duelin e parë. Baraclough vlerësoi lart futbollistët e Kosovës, por shtoi se pret që ekipi i tij ta fitojë këtë përballje.

“Nuk kishte asgjë që ne nuk e dinim për Kosovën atje që na befasoi. Të gjithë lojtarët e Kosovës janë duke luajtur në nivelin më të lartë në ligat evropiane dhe si komb ata po ngrihen lart në renditje. Ne mendojmë se mund të marrim rezultatin që duam kundër tyre dhe mendoj se kemi një skuadër shumë më të fortë dhe më me përvojë në këtë ndeshje. Për mua këtë duhet ta tregojmë. Ne duhet të tregojmë përvojën tonë dhe të shuajmë kërcënimin sulmues që ata kanë dhe gjithashtu të impresionojmë me lojën tonë përpara tyre”.

Baraclough e ka përdorur Ligën e Kombeve për të nxjerrë në pah talentet e reja, por thotë se fitorja e parë që deri më tani është treguar e pakapshme për Irlandën e Veriut, është në qendër të mendimeve të tij. Ekipi i trajnerit Baraclough është i fundit në Grupin 2 të Ligës C dhe ende nuk di për fitore në 14 ndeshje të Ligës së Kombeve të luajtura përgjatë tri edicioneve të kësaj gare.

“Fitorja e parë e Ligës së Kombeve është e rëndësishme për të gjithë. E dimë se çfarë do të thotë Liga e Kombeve për ne në vitet e fundit, por, sigurisht, fitimi i ndeshjeve është i rëndësishëm. Ne kemi folur për zhvillimin e lojtarëve, por gjithashtu duhet të fitojmë në një fazë dhe kjo është në krye të mendjes sime”, u shpreh Baraclough që edhe lojtarëve u ka bërë me dije se kërkon fitoren për shkak se nuk e ka në opsion rënien në Ligën D. “Mendoj se kemi folur për këtë me lojtarët dhe ky duhet të jetë rezultati për ne. Nuk është mirë të zhvillohesh për të ardhmen dhe të mos jesh në gjendje të fitosh ndeshje. Para qershorit e kishim bërë këtë në ndeshjet që luajtëm në nëntor dhe mars, por qershori nuk ishte një muaj i mirë për ne. Ne duhet ta vendosim këtë në mendjen tonë tani dhe të presim me padurim për nesër mbrëma që ta shijojmë fitoren e parë”.

Irlanda e Veriut për duelin ndaj Kosovës nuk do të llogarit në sulmuesin Kyle Lafferty. Ai është përjashtuar nga ekipi për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Kosovës dhe Greqisë, pasi u shfaq një video ku shihej sulmuesi i Kilmarnockut duke përdorur gjuhë të papërshtatshme. Lafferty, i cili ka 20 gola në 89 paraqitje për Irlandën e Veriut, është golashënuesi i dytë më i mirë i vendit të tij.

“Kyle është larguar tashmë nga ekipi për arsyet që federata i ka cekur në njoftim. Ai nuk ka stërvitur me ne prej të martës dhe ne duhet të fokusohemi të bëjmë pa të. Kështu që, mendjen e kemi te ndeshja me Kosovën dhe jo mungesa e tij”, insistoi Baraclough.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Irlandës së Veriut ka njoftuar të premten se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen kundër Kosovës. Stadiumi në të cilin do të luhet ndeshja, ka një kapacitet prej 18.500 ulëseve.