Pas paraqitjeve të mira në “Eurobasket 2022” te Përfaqësuesja e Finlandës, fundori kosovar Edon Maxhuni karrierën në nivel klubesh do ta vazhdojë në Bundesligën e Gjermanisë.
Maxhuni të premten është prezantuar te skuadra Hakro Merlins, me të cilën ka firmosur kontratë për sezonin 2022/23.
Tek ekipi gjerman presin shumë prej Maxhunit, i cili shkëlqeu te Finlanda që u eliminua në çerekfinale të Eurobasketit.
“Jemi të kënaqur që angazhimi i Edonit funksionoi kaq shpejt. Ai vjen te ne në gjendje të mirë fizike dhe sapo ka bërë disa paraqitje shumë të mira me Finlandën në Kampionatin Evropian. Jemi të lumtur që Edoni është me ne tani”, ka thënë drejtori sportiv i Hakro MErlins, Ingo Enskat.
Maxhuni edicionin e shkuar ka luajtur në Holandë, te Den Boschi ku pati një mesatare prej 13.4 pikëve për ndeshje. Në fakt, ai ndihmoi ekipin e tij ta fitojë titullin e kampionit të Holandës.
Para Den Boschit, Maxhuni karrierë ka bërë edhe te Parnu në Estoni e Gran Canaria në Spanjë.
Vetë Maxhuni ka deklaruar se është shumë i lumtur me zgjedhjen që e ka bërë dhe shpreson ta ndihmojë ekipin e tij drejt sukseseve këtë edicion. Sezonin e shkuar, Hakro Merlins arriti deri në finale të Kupës së Gjermanisë.
“Zgjodha Crailsheimin sepse shoh një mundësi të mirë këtu për të arritur shumë, si personalisht ashtu edhe me ekip. Ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja të luaja në Bundesligë”, ka thënë Maxhuni, i cili do ta bartë fanellën me numrin 5.
“Qëllimi im është të ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të fitoj sa më shumë ndeshje. Pres një sezon të mirë me shumë ndeshje dhe sigurisht disa sfida – ndaj dua të shijoj çdo moment”.