Sport

Prishtinës i zbutet dënimi pas ankesës

Skuadrës së Prishtinës i është zbutur dënimi prej dy ndeshjeve të luajtura pa praninë e tifozëve nga Komisioni Disiplinor pas incidentit që ndodhi para ndeshjes kundër Ballkanit në stadiumin “Fadil Vokrri” të zhvilluar në fillim të këtij muaji.

Prishtina u pat dënuar me dy ndeshje pa praninë e shikuesve dhe pati marrë një gjobë prej 1200 eurosh, si pasojë e incidentit në ndeshjen e xhiros së pesë.

Megjithatë, vendimi ka ndryshuar pas ankesës së Prishtinës në shkallën e dytë të Komisionit të Ankesave, i cili të premten ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë pjesërisht pas rishqyrtimit të lëndës.

Komisioni për ankesa i shkallës së dytë, ka vendosur që Prishtina të dënohet me vetëm një ndeshje pa praninë e shikuesve, ndërsa gjoba prej 1200 eurosh mbetet në fuqi.

Kështu që, me këtë vendim, Prishtina ndeshjen e radhës në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta luajë me praninë e shikuesve.

“Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë në mbledhjen e mbajtur më datë 23.09.2022 pas shqyrtimit të të gjitha shkresave, argumenteve dhe provave shtesë të ofruara ndryshoj pjesërisht vendimin e datë 13.09.2022 , me ç’rast duke u thirrur në nenin 119 pika C të Rregullores Disiplinore ndaj FC ‘Prishtina’ , merret masë lehtësuese zhvillimin e vetëm një ndeshje pa shikues dhe jashtë Prishtinës. Bazuar në këtë vendim FC ‘Prishtina’ ndeshjen e radhës do ta zhvilloj në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe me prani të shikuesve. Masa tjetër e dënimit me gjobë prej 1200 euro mbetet në fuqi”, thuhet në vendim.