Sport

Rabioti mund të mbetet më gjatë në Itali

Mesfushori Adrien Rabiot ka gjasa të mëdha që të mbetet pjesë e Juventusit edhe përtej këtij sezoni. “Calciomercato” ka shkruar të premten se drejtuesit e Juventusit janë të gatshëm t’ia rinovojnë kontratën francezit.

Rabiot ka kontratë me Juventusin deri në fund të këtij sezoni dhe ekipi italian nuk po dëshiron ta humbasë si lojtar të lirë. Kështu që, Juventusi po planifikon brenda këtij viti t’i fillojë negociatat me francezin, të cilit do t’ia ofrojë rinovimin e kontratës të paktën edhe për dy vjet.

27-vjeçari ishte pranë largimit nga Juventusi para fillimit të këtij edicioni, por kërkesat e tij të larta bënë që Manchester Unitedi të tërhiqet nga transferimi i tij. Ai deri më tani ka katër paraqitje për Juventusin, ekip të cilit iu bashkua si lojtar i lirë në vitin 2019.