Sport

Videot e vëllait bëjnë kthesë të re në hetimin e zhvatjes së Pogbas

Descriptive Text

Një hetim i policisë mbi pretendimet se ylli i futbollit francez, Paul Pogba, ishte në shënjestër të zhvatësve mori një kthesë të re dhe të çuditshme të premten me publikimin e disa videove që kishte synimin fituesin e Kupës së Botës, rrethin e tij dhe stilin e jetesës së pasur. Këto video u hodhën nga një prej të dyshuarve, vëllai i tij i madh Mathiasi.

Më shumë se 30 video të Mathias Pogbas duke lexuar nga një deklaratë në shumë faqe u postuan në Twitter. Nuk ishte e qartë saktësisht se kur u filmuan videot. Por, mund të ketë qenë përpara se Mathias Pogba të dorëzohej për t'u marrë në pyetje në polici javën e kaluar. Mësohet se që atëherë ai është mbajtur në paraburgim. Avokati i tij nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me këto video apo personin që i ka postuar. Regjistrimi i videove duket se ka qenë një ushtrim që kërkon shumë kohë, sepse Mathias Pogba kishte veshur tri bluza të ndryshme.

“Nëse po e shikoni këtë video, kjo do të jetë sepse vëllai im Paul Pogba ka gjetur një mënyrë për të më heshtur”, pohoi Mathias Pogba në serinë e parë të videove. “Unë e regjistroj këtë video në mënyrë që çfarëdo që të ndodhë gjithçka të zbulohet”.

Fjalët “video regjistrimi, i mbajtur në një vend të sigurt” ishin shkruar në krye të shumë prej videove. Këto video ndoqën postimet e mëparshme në mediat sociale ku Mathias Pogba kishte kërcënuar se do të bënte zbulime shpërthyese për vëllain e tij, i cili luan për Juventusin pas largimit të tij nga Manchester United këtë verë. Mathias Pogbas dhe katër të tjerëve iu ngritën akuza paraprake të shtunën e kaluar dhe i burgosën në hetimin e zhvatjes, kanë thënë prokurorët francezë.

Në serinë e fundit të regjistrimeve, Mathias Pogba akuzoi vëllain e tij multimilioner se kishte braktisur anëtarët e familjes së tyre, duke i lënë ata në varfëri. Ai gjithashtu pretendoi se mesfushori ishte përzier me kriminelët dhe përsëriti pretendimet se Paul Pogba kishte punësuar një magjistar. Ai nuk ka sjellë asnjë provë për të vërtetuar akuzat e tij. Sipas pretendimeve të fundit të Mathias Pogbas, magjistari është i afërt me ish-lojtarin francez Alou Diarra dhe Paul Pogba u prezantua me të nga ish-mbrojtësi i PSG-së, Serge Aurier.

Ai tha se me kalimin e viteve mesfushori francez ka shpenzuar miliona euro për shërbimet e magjistarit, duke i kërkuar për shembull që ta ndihmojë Francën të fitojë Kupën e Botës në vitin 2018 ose të bëjë magji për futbollistët rivalë. Mathias Pogba kishte thënë më parë se vëllai i tij kishte vënë në shënjestër Kylian Mbappen. Në videot e tij të fundit ai pohoi se Paul Pogba i kërkoi magjistarit të “neutralizonte” Mbappen për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve midis PSG-së dhe Manchester Unitedit në vitin 2019. Unitedi e kishte fituar atë ndeshje 3:1 për të kaluar në çerekfinale. Videot u shoqëruan gjithashtu me një sërë postimesh në “Twitter” dhe një deklaratë drejtuar Paul Pogbas.

“Kjo gjithashtu do të thotë se unë nuk jam më i lirë”, thuhej në mesazh.

Mathias Pogba tha se jeta e tij tani është në rrezik për shkak se vëllai i tij ka “tradhtuar shërbëtorët e tij”, të cilët po sulmojnë rrethin e tij si ndëshkim. Mathias Pogba tha se disa nga të afërmit e tij “janë sulmuar dhe qëlluar tashmë” për shkak të vëllait të tij. Prokuroria e Parisit hapi një hetim muajin e kaluar mbi akuzat se Paul Pogba ishte objektivi i një komploti zhvatjeje nga vëllai i tij dhe miqtë e fëmijërisë duke ia kërkuar 13 milionë euro.

Mathias Pogba ka mohuar të ketë marrë pjesë në skemë. Sipas transmetuesit RTL, i cili citoi raportin e hetimit të policisë, grupi i njerëzve ka përfituar nga paratë e lojtarit për vite me radhë, duke përfituar për shembull investime me vlerë qindra mijëra euro në një restorant. RTL raportoi në faqen e internetit se kërcënimet dhe kërkesat për 13 milionë euro dyshohet se filluan kur Paul Pogba vendosi t’ua ndalojë paratë në fund të janarit të këtij viti. Mathias Pogba pati një karrierë modeste futbolli si sulmues me ekipe të nivelit të ulët në Angli dhe vende të tjera evropiane.