Sport

Me Grinerin në burg, lojtaret e WNBA-së evitojnë Rusinë në mes të sezonit

Problemet ligjore të Brittney Grinerit në Rusi dhe pushtimi rus ndaj Ukrainës kanë bërë lojtaret kryesore të WNBA-së të zgjedhin ta dërgojnë talentin e tyre diku tjetër në pushimin në mes të sezonit në SHBA. Në dekadat e fundit Rusia ka qenë destinacioni i preferuar në mes të sezonit për basketbollistet e WNBA-së për të luajtur, për shkak të pagave të larta që mund të shkojnë mbi një milion dollarë - gati katërfishi i pagës bazë të basketbollisteve kryesore në WNBA - dhe burimeve e komoditeteve që ekipet u ofronin atyre. Megjithatë, gjithçka ka marrë një fund të papritur.

“Sinqerisht, koha ime në Rusi ka qenë e mrekullueshme. Por veçanërisht me Brittneyn që po mbahet ende gabimisht atje, askush nuk do të shkojë derisa ajo të kthehet në shtëpi”, tha Breanna Stewart, një bashkëlojtare e Grinerit në ekipin rus që i pagoi dyshes miliona dollarë. “Unë mendoj që basketbollistet duan të shkojnë jashtë shtetit dhe nëse paratë nuk kanë shumë dallim, ato duan të jenë në një vend më të mirë dhe më të sigurt”.

Basketbollistja amerikane Griner u arrestua dhe më vonë doli para gjykatës me akuzat për posedim droge, mes pushtimit rus të Ukrainës. Griner u dënua muajin e kaluar me nëntë vjet burg.

Tani Stewart dhe yjet e tjera të WNBA-së (liga kryesore e basketbollisteve në SHBA), përfshirë Jonquel Jones e Courtney Vandersloot, të cilat gjithashtu kanë bërë miliona dollarë duke luajtur në Rusi, do të shkojnë diku tjetër këtë dimër. Të tria luajtën për Ekaterinburgun, të njëjtin ekip rus si Grineri. Ai klub fitoi pesë tituj të Euroligës në tetë sezonet e fundit dhe ka qenë dominues për gati dy dekada me ish-legjendat e WNBA-së, DeLisha Milton Jones dhe Diana Taurasi që luajnë atje.

Një numër jashtëzakonisht i madh i lojtareve të WNBA-së luajtën dimrin e shkuar në Rusi por asnjëra prej tyre nuk do të kthehet këtë vit. Pas Botërorit, Stewart do të shkojë në Turqi për të luajtur për Fenerbahçen. Lojtaret kryesore mund të fitojnë disa qindra mijëra dollarë duke luajtur në Turqi, shumë më pak sesa që merrnin në Rusi. Paraqitja në Turqi gjithashtu i lejon Stewartit të jetë më afër familjes së saj në Spanjë.

“Dëshironi të keni një mënyrë jetese më të mirë, një përvojë më të mirë jashtë palestrës dhe thjesht të vazhdoni të vlerësoni vendet e tjera”, tha Stewart.

Ashtu si Stewarti, Vandersloot nuk do të kthehet në Rusi, pasi ka zgjedhur të luajë në Hungari ku mori nënshtetësinë në vitin 2016.

“Unë jam hungareze. Mendova se do të ishte e veçantë të luaj në Hungari, pasi nuk kam luajtur atje qëkur mora shtetësinë”, tha Vandersloot.

Fundorja 33-vjeçare tha se shumëçka do të duhej të ndryshonte përpara se të mendonte të kthehej në Rusi për të luajtur, edhe pse ka shumë kujtime të dashura nga populli rus.

“Gjëja në lidhje me këtë është se ne u trajtuam aq mirë nga klubi ynë dhe krijuam marrëdhënie të forta me ata njerëz, sa nuk do ta mbyllja kurrë derën për këtë”, tha ajo. “E gjithë situata me Brittneyn e bën vërtet të vështirë të mendosh se është e sigurt për këdo që të kthehet atje tani”.

Jones do t'i bashkohet Stewartit në Turqi, por do të luajë për skuadrën e Mersinit. Jones tha se do të konsideronte të kthehej në Rusi nëse gjërat ndryshojnë politikisht dhe Griner do të kthehej në SHBA.

Situata e Grinerit gjithashtu po rëndon shumë në mendjet e lojtareve të reja të WNBA-së. Rhyne Howard, “rookie” e vitit 2022 në WNBA, do të luajë në Itali këtë dimër. Është përvoja e saj e parë jashtë shtetit. Ajo tha se ishte e kujdesshme kur vendosi se ku do të luante në Evropë.

“Të gjitha do të jenë paksa të kujdesshme duke parë se kjo situatë po ndodh me Grinerin”, tha ajo.

Nuk janë vetëm lojtaret amerikane që nuk shkojnë më në Rusi. Qendra e ekipit Chicago Sky, Emma Meesseman, e cila luan për Përfaqësuesen e Belgjikës, kishte luajtur në Rusi me Stewartin, Jonesin dhe Vanderslootin. Ajo ka vendosur që në mes të sezonit të WNBA-së të luajë në Turqi. WNBA-ja gjithashtu është përpjekur ta bëjë qëndrimin në shtëpi në mes të sezonit një opsion më të mirë për lojtaret. Komisarja Cathy Engelbert tha në finalet e WNBA-së se lojtaret kryesore mund të fitojnë deri në 700,000 dollarë këtë vit midis pagës bazë, marrëveshjeve të marketingut dhe shpërblimeve të tjera. Vetëm disa lojtare të zgjedhura mund të marrin më shumë, zakonisht ato që kanë vendosur të pranojnë marrëveshje marketingu të ligës në këtë mes sezoni.