Kur selektori i Zvicrës, Murat Yakin, e ftoi Ardon Jasharin të dielën, mesfushori mbeti i “shokuar” fillimisht. Ftesa që erdhi pas lëndimit të Noah Okaforit ka befasuar për të riun.
Jashari, 20-vjeçar, 24 orë më vonë ishte në fushë së bashku me yjet e tjerë të Zvicrës. Dhe nga afër i njoftoi lojtarët që i sheh si model. Bëhet fjalë për Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin, dy kapitenët e parë të Zvicrës. Si Xhaka e Shaqiri, edhe Jashari është shqiptar. Ai vlerësohet talent shumë i madh në Zvicër, ndërsa aktualisht është zëvendëskapiten i Luzernit.
“Përfundimisht Graniti është model shumë i mirë prej të cilit mund të mësoj shumë”, ka thënë Ardon Jashari për gazetën zvicerane, “Blick”. Atij i pëlqen shumë edhe Shaqiri.
“E kam përcjellë prej kur kam qenë fëmijë”, ka shtuar Jashari.
“Blick” ka treguar se prindërit e Jasharit janë vendosur nga Maqedonia e Veriut në Zvicër. Ai paraqitet i matur, me vetëbesim, por edhe me modesti. Në këtë drejtim i bëhen krahasime me Xhakën, por edhe për mënyrën e paraqitjes në fushën e lojës.
Te Kosova kanë shpresuar që të marrin në përfaqësuese Jasharin. Por lojtari ka treguar se asnjëherë nuk e vë në diskutim faktin se dëshiron të luajë për Zvicrën.
“Për mua është çështje e afërt e zemrës”, ka thënë Jashari.
Ai është i lindur në Zvicër, i rritur në këtë vend dhe e ka mësuar futbollin në Zvicër.
“Për mua dhe familjen time një ëndërr është realizuar me ftesën nga ‘Nati’”, ka theksuar Jashari.
Rritja e Jasharit ishte e shpejtë. Jo shumë kohë më parë ai ka luftuar për vend në ekip, në pozitën e mesfushorit defansiv. Tani është graduar në zëvendëskapiten. Nëse vazhdon me zhvillim të njëjtë, në Luzern presin që Jashari shpejt të transferohet në ndonjë klub të top-pesë ligave evropiane. Ai ka kontratë me Luzernin deri në vitin 2026.
“Po mundohem të qëndroj me këmbë në tokë dhe të zhvillohem brenda dhe jashtë fushës. Trajneri Mario Frick ma ka dhënë rastin të startoj te Luzerni. Asnjëherë nuk do ta harroj atë”.
Jashari synon të transferohet në ligat më të mëdha dhe të luajë në Champions po ashtu. Por, lehtë mund të përfshihet edhe në ekipin e Zvicrës për Botëror. Paraqitja në ndeshjet e këtij muaji mund të jetë vendimtare.