Sport

Trepça fiton edhe ndaj Bashkimit në “Minatorin” e mbushur me shikues

Trepça e ka fituar edhe ndeshjen e dytë në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në “Minatori”, skuadra mitrovicase fitoi ndaj Bashkimit të Prizrenit me rezultatin 75:68.

“Xehetarët” vazhdimisht ishin në epërsi, ndërsa Bashkimi nuk ka ndalur përpjekjet në tentim për të barazuar. Dallimi është bërë në pjesën e parë. Çerekun e parë Trepça e fitoi me shifrat 21:14, ndërsa të dytin me rezultatin 28:23. Çereku i tretë ishte i barabartë, 12:12, ndërsa në të fundit prizrenasit fituan me 19:14.

Në xhiron e parë, po në shtëpi, Trepça kishte fituar ndaj Ponte Prizrenit. Ndërkohë Bashkimi pësoi humbjen e parë të dielën. Fillimisht kishte mposhtur Vëllaznimin në Prizren.

Erjon Kastrati dhe Clevon Brown kanë udhëhequr Trepçën. Kastrati realizoi 20 pikë e katër asistime, ndërsa Brown i kishte 12 pikë e pesë kërcime. Te Bashkimi u dallua Fahro Alihoxhiq me 19 pikë e 11 kërcime. Prentiss Nixon i shënoi 15 pikë, ndërsa Altin Morina shtoi 12 pikë e pesë kërcime.

Edhe një herë erdhi në shprehje fondi më i pasur i lojtarëve, përkatësisht numri më i madh i basketbollistëve në të cilët llogarit trajneri i Trepçës, bullgari Lubomir Minchev.

“Ndeshja ishte e vështirë. E kemi pritur që do të jetë vështirë dhe kështu doli. Edhe kur nuk luajmë shumë mirë është me rëndësi të fitojmë. Ky ishte rast sonte. Kemi pasur gabime në lojën në sulm dhe kemi bërë gabime të lehta”, ka theksuar Minchev. Ai vlerëson se Superliga këtë edicion do të jetë shumë më e vështirë. “Ky sezon do të jetë më i vështirë, pasi edhe federata ka ndryshuar rregullat sa i takon lojtarëve të huaj dhe kjo është mirë. I shërben imazhit të ligës dhe të klubeve”, ka shtuar Minchev, që Trepçën e ka drejtuar edhe edicionin e kaluar.

Trepça sërish ka pasur përkrahje të madhe nga tribuna. Ndonëse fillimi i edicionit, “Minatori” ishte i mbushur me shikues.

“E uroj ekipin e Trepçës. Ka vendosur pjesa e parë ku pranuam 49 pikë. Është e vështirë të kthehesh pas kësaj. Në këtë moment ky është maksimumi ynë, por do të përmirësohemi në vazhdim”, ka theksuar trajneri i Bashkimit, Darko Raduloviq.

Pos Trepçës dy fitore i ka edhe Peja. Peja të shtunën fitoi 94:91 ndaj Ponte Prizrenit në udhëtim, ndërsa si mysafire kishte mposhtur edhe Sigal Prishtinën në xhiron e parë.