Sport

Presidenti i FMSH-së për KOHËN: Nuk mund të ndodhte ky sukses më mirë se që ndodhi në Serbi

Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni i është gëzuar shumë suksesit të mundësit Zelimkhan Abakarov, që të shtunën ia solli Shqipërisë medaljen e artë nga Botërori i mundjes. Ai ka theksuar për KOHËN se është dyfish më i lumtur që suksesi i mundësit të natyralizuar është arritur në Beograd të Serbisë.

“Është krenari. Një gëzim që e kam pritur si sportist, por e kam përjetuar më shumë si shikues falë këtyre djemve. Kam përjetuar kënaqësi të madhe. E kam besuar që nga dita e parë kur këta djem pranuan ta përfaqësojnë Shqipërinë dhe nuk mund të ndodhte ky sukses më mirë se që ndodhi në Serbi. Ka qenë arritje fenomenale”, ka thënë Prizreni për KOHËN.

Në fakt, Prizreni ka bindur Abakarovin t’i bashkohet Shqipërisë. Thotë se për ta natyralizuar çeçenin ka gjetur mbështetjen edhe të bordit dhe komunitetit sportiv shqiptar.

“Është një vendim i duhur që t’i natyralizojmë. Ka qenë vendim personal i mbështetur nga gjithë bordi i Federatës. Sahiti nuk është vetë, por ka qenë zgjedhje fantastike për t’i dhënë shtytje sportit shqiptar. Ëndrra ime ka qenë ta bëj këtë punë vet, por e kam përjetuar më shumë se që do ta ngrija vet. Sportistët rrojnë për këtë moment dhe besoj ishte një moment historik për sportit shqiptar”, ka theksuar Prizreni.