Mungesa e golave nga sulmuesi Son Heung-min këtë sezon është shtrirë në tetë ndeshje për Tottenhamin, duke rritur shqetësimet në Seul për formën e yllit të Koresë së Jugut vetëm disa muaj para Kupës së Botës “Katari 2022”. Son fitoi “Këpucën e Artë” të Premier Leagues për sezonin 2021/22, çmim që i jepet golashënuesit kryesor në garën më të mirë të Anglisë, por ai ende nuk ka shënuar këtë sezon.
Dhe mediat koreano-jugore po i kushtojnë vëmendje në rritje formës së Sonit përpara paraqitjes së 10-të radhazi të vendit në turneun e madh të futbollit. Përzgjedhësi i Koresë së Jugut, Paulo Bento, hodhi poshtë shqetësimet kur përfshiu Sonin në listën e tij për ndeshjet përgatitore të javës së ardhshme kundër Kosta Rikës dhe Kamerunit.
“Nuk ka asnjë shqetësim dhe ndihem njësoj si kur ai shënon shumë”, tha Bento, duke shtuar se ai nuk ka në plan të diskutojë këtë çështje me kapitenin e tij. “Ne do të fokusohemi në atë që duhet të bëjmë në këto dy ndeshje dhe kam të gjithë besimin tek ai si zakonisht”.
Son nuk është i vetmi sulmues korean që ka vështirësi në formë ose përzgjedhje. Hwang Hee-chan ka qenë duke luftuar për minuta në fushë te Wolverhamptoni në Premier League, dhe Hwang Ui-jo gjithashtu nuk ka shënuar ende këtë sezon qoftë për Bordeaux ose për klubin e tij të ri Olympiacosin.
Përfaqësuesit e tjerë të Azisë në Kupën e Botës – Japonia, Irani, Australia, Arabia Saudite dhe Katari pritës – janë gjithashtu të zënë në pushimin ndërkombëtar. Japonia dhe Arabia Saudite do të përballen secila me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ekuadorin javën e ardhshme. Japonia, që është në një grup me Gjermaninë, Kosta Rikën e Spanjën në Botëror, u trondit nga lajmi të hënën se Ko Itakura lëndoi gjurin e tij gjatë stërvitjes me klubin e Borussia Monchengladbachut. Mbrojtësi qendror nuk ka gjasa të kthehet para muajit nëntor. Më inkurajues për përzgjedhësin Hajime Moriyasu është fillimi i sulmuesit të krahut, Kaoru Mitoma, në sezonin e tij të parë në Premier League për Brightonin.
“Unë mund të bëj hapin e parë dhe të tregoj një paraqitje të shkurtër se çfarë lloj lojtari jam për tifozët”, tha Mitoma. “Unë gjithashtu mund t'i tregoj pak trajnerit se mund ta bëj punën. Do të ketë të bëjë me atë se sa mund të prodhoj dhe ndiej se duhet ta bëj këtë kur të më jepet më shumë kohë për të luajtur”.
Ndeshja e Arabisë Saudite kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e dyta nga gjashtë përgatitjet e saj para ndeshjes hapëse të Grupit C me Argjentinën dhe ndeshjet pasuese kundër Polonisë dhe Meksikës në Botërorin “Katari 2022”. Katari pritës po përgatitet gjithashtu për një paraqitje të parë në Kupën e Botës, ku është në një grup me Holandën, Ekuadorin dhe Senegalin. Katari do të përballet me Kanadanë më 23 shtator në Vjenë dhe më pas me Kilin katër ditë më vonë. Australia do të luajë ndeshje në shtëpi dhe jashtë kundër Zelandës së Re. Irani, i cili do të përballet me Anglinë, SHBA-në dhe Uellsin në Grupin B, emëroi Carlos Queirozin në një tjetër detyrë si trajner në fillim të këtij muaji. Tekniku portugez e udhëhoqi ekipin në Kupat e Botës të viteve 2014 e 2018 dhe veprimi i tij i parë në periudhën e tij të dytë do të jenë ndeshjet testuese kundër Uruguait dhe Senegalit në Austri.
“Kur familja ju thërret në shtëpi, gjithçka që bëni është thjesht të paraqiteni”, shkroi Queiroz në rrjetet sociale të martën.
Irani është paraqitur në pesë turnetë e fundit të Kampionatit Botëror, por ende nuk e ka kaluar fazën e grupeve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.