Haalandi i Cityt gati t’i tregojë Dortmundit se çfarë i mungon

Borussia Dortmundi e di shumë mirë aftësinë e sulmuesit Erling Haaland për ta shkatërruar mbrojtjen kundërshtare në Ligën e Kampionëve. Ekipi gjerman tani duhet të tentojë ta ndalë norvegjezin, kur të përballet me Manchester Cityn, të mërkurën mbrëma.
Haaland u shndërrua në një nga sulmuesit më të frikshëm në botë gjatë dy vjetëve e gjysmë në Gjermani, duke shënuar 86 gola në 89 ndeshje për Dortmundin. Ai para fillimit të këtij sezoni e la Dortmundin për Cityn dhe në tetë ndeshje me fanellën e ekipit anglez deri më tani ka shënuar 12 gola.
Dueli mes Cityt dhe Dortmundit luhet në “Etihad Stadium” prej orës 21:00 dhe i takon Grupit G të Championsit. Javën e shkuar, Haaland shënoi dy gola në fitoren e thellë të Cityt (4:0) ndaj Sevillas, për të arritur në kuotën e 25 golave në 20 ndeshje të luajtura deri më tani në garën elitare të Evropës për klube.
“Unë e dua Ligën e Kampionëve, çdo mëngjes e dëgjoi himnin e saj. Është gara ime e preferuar”, tha Haaland ditë më parë në një intervistë.
Pikërisht për të triumfuar në Champions, Manchester City bëri të pamundurën për ta transferuar Haalandin këtë verë nga Dortmundi, duke paguar 60 milionë euro. Për Haalandin kjo do të jetë hera e parë që përballet me ish-klubin e tij.
Mbrojtësi Manuel Akanji do të jetë i gatshëm për Dortmundin, ekip që e la për Cityn në ditët e fundit të afatit kalimtar.
Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, në konferencën për shtyp të martën, ka thënë se pret fitore ndaj Dortmundit. Tekniku spanjoll ka insistuar se ekipi i tij duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet e fazës grupore për të kaluar në rundin e nokautit me bilanc qind për qind.
“Në fushë do ta vendosi një ekip që duhet ta fitojë këtë ndeshje, pasi tri pikët janë shumë të rëndësishme. Kjo është Liga e Kampionëve dhe duhet të fitosh për të avancuar tutje. Ne tashmë e kemi fituar ndeshjen e parë dhe pres që në të dytën të jemi edhe më të mirë pasi luajmë në shtëpi”, është shprehur Guardiola. “Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por mendoj se kemi ekip për të dëshmuar cilësitë tona. Lojtarët e dinë se çka duhet të bëjnë në fushë dhe besoj se janë gati të gjithë. Besoj se do të jetë një ndeshje atraktive dhe do të pëlqehet nga tifozët”.
Edhe kapiteni i ri i Cityt, mesfushori Ilkay Guendogan, beson në fitore ndaj ish-ekipit të tij, Dortmundit. Guendogan ka pranuar se synimi i Cityt është triumfi në Champions, pasi në dy edicionet e fundit i mungoi fati. Sezonin e shkuar, City u eliminua në gjysmëfinale nga Real Madridi, ndërsa një vit më herët e humbi finalen përball Chelseat.
“Synimi ynë edhe në këtë edicion është i qartë, të shkojmë sa më larg në Champions dhe të përpiqemi ta fitojmë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund, por për të arritur deri te suksesi ne duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, duke filluar nga këto në fazën e grupeve”, ka thënë Guendogan, i cili ka zbuluar se Haaland është shumë i lumtur për duelin me Dortmundin. “Ai nuk është aspak i nervozuar dhe më ka thënë se me padurim e pret ndeshjen. Edhe unë jam i emocionuar që do të luajmë me Dortmundin, pasi e shoh si ndeshje të veçantë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por ne duhet të jemi të qetë, të luajmë mirë dhe të marrim edhe fitoren e dytë”.
Dortmundi e fitoi ndeshjen e xhiros së parë. Triumfoi në shtëpi ndaj Copenhagenit me rezultatin 3:0. Të dy ekipet i kanë nga tri pikë dhe konsiderohen favoritë për të avancuar në fazën tjetër. Te Dortmundi i janë gëzuar faktit se për ndeshjen ndaj Cityt janë kthyer tre lojtarë të rëndësishëm që janë rikuperuar nga lëndimet – Karim Adeyemi, Thorgan Hazard e Donyell Malen. Mesfushori Jude Bellingham insiston se Dortmundi është i gatshëm ta dëshmojë veten kundër kampionit në fuqi të Anglisë.
“Është e rëndësishme që në të dalim në fushë, të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta prezantojmë ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet ta sfidojmë Cityn me lojë kolektive dhe besoj se do t’ia dalim. Vetëm me lojë kolektive është gjithçka e mundur për një kundërshtar si City”, ka thënë Bellingham në konferencën për shtyp, të martën mbrëma. “Besoj se do të kemi një paraqitje të mirë në përgjithësi dhe do të vazhdojmë me rezultat të mira sikurse javën e shkuar”.
Ndërkohë, trajneri i Dortmundit, Edin Terziq, ka pranuar superioritetin e skuadrës së Guardiolas. Ai po ashtu ka pranuar se rreziku më i madh për ekipin e tij mbetet norvegjezi Haaland.
“City ka shumë cilësi në ekip dhe për ne do të jetë një ndeshje tejet e vështirë. City ka ndërtuar një ekip fantastik, i cili i ka të gjitha për ta fituar Championsin. Në këtë e kemi parasysh, por jemi këtu për një rezultat të mirë”, tha ai. “Haalandi është një sulmues më shumë cilësi dhe nuk më habit aspak fakti që po shënon gola edhe me fanellën e Cityt. Ne do të bëjmë të pamundurën që ta ndalim atë”.
Të mërkurën zhvillohet edhe ndeshja e Grupit A mes Rangersit e Napolit, që ishte e paraparë të luhet të martën mbrëma, por u shty për një ditë.
E mërkurë
Grupi A
Rangers – Napoli (21:00)
Grupi E
Milan – Dinamo Z. (18:45)
Chelsea – Salzburg (21:00)
1. Dinamo Z. 1 3
2. Milan 1 1
3. Salzburg 1 1
4. Chelsea 1 0
Grupi F
Shakhtar D. – Celtic (18:45)
Real Madrid – Leipzig (21:00)
1. Shakhtar D. 1 3
2. Real Madrid 1 3
3. Leipzig 1 0
4. Celtic 1 0
Grupi G
Copenhagen – Sevilla (21:00)
Man. City – Borussia D. (21:00)
1. Man. City 1 3
2. Borussia D. 1 3
3. Copenhagen 1 0
4. Sevilla 1 0
Grupi H
Juventus – Benfica (21:00)
Maccabi H. – PSG (21:00)
1. Benfica 1 3
2. PSG 1 3
3. Juventus 1 0
4. Maccabi H. 1 0
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.