Trajneri i Bayern Munichut, Julian Nagelsmann, ka fajësuar mungesën e energjisë për formën jobindëse të skuadrës së tij në fillim të edicionit në Bundesligë. Nagelsmann kështu ka nxitur diskutimet nëse gjashtë herë fituesit të Ligës së Kampionëve po i mungon sulmuesi Robert Lewandowski.
Bayerni shënoi 20 gola në katër ndeshjet e para garuese, ndërsa më pas u ndal dy herë me barazim 1:1, për të mbetur në vendin e tretë në Bundesligë.
Bayerni mbetet favorit i madh për të fituar titullin e 11-të rresht në Bundesligë, por është Liga e Kampionëve që përcakton nëse edicioni i gjigantit gjerman është i suksesshëm.
Kampanjën në Champions, Bayerni e fillon të mërkurën mbrëma në Milano, kur takohet me gjigantin italian, Interin. Ndeshja e grupit C fillon në orën 21:00. Pikët janë me peshë si për Interin ashtu edhe për Bayernin, marrë për bazë që në këtë grup është edhe Barcelona. Barcelona e pret në “Camp Nou”, Viktoria Plzenin dhe gjasat që të lëshojë pikë janë të vogla.
Bayerni kërkon të shkojë më larg se edicionin e kaluar, kur u ndal në çerekfinale nga Villarreali.
Zëvendësuesi i Lewandowskit, Sadio Mane, ka shënuar tri gola në pesë ndeshje në Bundesligë, ndërsa Nagelsmann tha se ekipit i mungon energjia dhe se ka barazuar në dy ndeshjet e fundit me gjithë rastet e shumta të krijuara.
Nagelsmann ka thënë se Bayerni do të jetë në gjendje të thyejë mbrojtjen e Interit nëse luan me energjinë që e kishte në ndeshjet e para të edicionit.
“Niveli ynë i energjisë duhet të jetë si më parë”, ka thënë trajneri i Bayernit.
Shqetësuese për Bayernin mund të jetë fakti që Interi luan mbrojtje të ngjashme me skuadrat që e ndalën në barazim në dy takimet e fundit në Bundesligë.
“Interi luan pak më ndryshe. Ka ngjashmëri, por nuk do të flasë për këtë pasi rivali mund të bëjë ndryshime më pas”, ka shtuar Nagelsmann.
Interi në ndeshjen e madhe me kampionin gjerman paraqitet pas humbjes së rëndë nga rivali i qytetit, Milani.
Interi ka tri fitore e dy humbje në Serie A.
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, nuk do të mund të llogarisë në sulmuesin e fuqishëm, Romelu Lukaku. Ndërkohë Bayerni nuk ka telashe me lëndime.
Inzaghi e ka mirëpritur sfidën, duke premtuar se tri herë fituesi i Championsit do të shfaqë më të mirën në skenën e madhe.
“Do të jetë ndeshje e vështirë për të cilën do të përgatitemi sa më mirë. Do ta sfidojmë njërën prej skuadrave më të forta në Evropë. Por ne jemi Interi dhe do të luajmë si Interi”, ka thënë Inzaghi.
Ndeshje e mirë pritet të jetë edhe ajo në mes të Napolit dhe Liverpoolit.
Ajax – Rangers dhe Eintracht Frankfurt – Sporting janë ndeshjet që zhvillohen nga ora 18:45. Ndeshjet e tjera në grupet A, B, C dhe D luhen nga ora 21:00.
E mërkurë
Grupi A
Ajax – Rangers (18:45)
Napoli – Liverpool (21:00)
Grupi B
Atletico Madrid – Porto (21:00)
Brugge – Bayer Leverkusen (21:00)
Grupi C
Barcelona – Viktoria Plzen (21:00)
Inter – Bayern Munich (21:00)
Grupi D
Eintracht Frankfurt – Sporting (18:45)
Tottenham – Marseille (21:00)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.