Gjyqtarët e Ligës së Kampionëve duhet të jenë më të ashpër me lojtarët që ekzagjerojnë gjatë kontaktit me kundërshtarin, ka thënë UEFA të premten.
UEFA dëshiron të ndëshkojë përpjekjet për të “mashtruar” gjyqtarët me “akte simulimi ose duke reaguar tepër ndaj gabimeve me kontakt të lehtë”, kur faza e grupeve të Championsit do të fillojë javën e ardhshme.
“Kjo përfaqëson sjellje të padrejtë nga lojtarët ndaj kolegëve të tyre – një shembull i keq i sjelljes dhe tejet mosrespektues”, tha në një deklaratë shefi i arbitrave të UEFA-s, Roberto Rosetti.
Zyrtarët e UEFA-s u kërkuan gjyqtarëve të jenë të zgjuar dhe të tregojnë autoritet kur të trajtojnë ndeshjet ndërkombëtare në Evropë këtë sezon.
“Është thelbësore që gjyqtarët të jenë në gjendje të lexojnë lojën dhe të kuptojnë frymën e lojës në këto situata”, tha Rosetti, italiani që drejtoi finalen e Kampionatit Evropian të vitit 2008 dhe disa ndeshje në Kampionatin Botëror të viteve 2006 dhe 2010.
UEFA gjithashtu dëshiron që gjyqtarët të ndëshkojnë lojtarët që shqetësojnë zyrtarët e ndeshjeve për të ndikuar në vendime. Po ashtu do të ketë masa më të rrepta ndaj rasteve ku ka konfrontime masive që përfshijnë lojtarë dhe trajnerë.
“Ne jemi të detyruar ta mbrojmë imazhin e futbollit dhe konsiderojmë se sjelljet e caktuara në fushë, por edhe në bankën e rezervistëve, janë të papranueshme. Kështu që gjyqtarët prej këtij edicioni do të reagojnë fuqishëm dhe do të ndëshkojnë të gjithë ata që simulojnë apo bëjnë presion tek ata për t’i ndryshuar vendimet”, ka paralajmëruar Rosetti.
UEFA informoi zyrtarët e saj të ndeshjeve ndërkombëtare përpara një sezoni që do të përfshijë ndeshjet e përfaqësueseve në Ligën e Kombeve këtë muaj dhe ndeshjet kualifikuese të “Euro 2024” që luhen vitin e ardhshëm.
“Ne duam që zyrtarët tanë të qëndrojnë të përulur, të mbajnë këmbët e tyre në tokë, të punojnë shumë, të jenë të disiplinuar, të fokusohen në objektiva dhe të jenë të fortë e të respektueshëm”, tha Rosetti. “Vetëm në këtë mënyrë e mbrojmë imazhin e futbollit që për ne është shumë i rëndësishëm”.
Në ndeshjet e Ligës së Kampionëve gjyqtarët tani do të ndihmohen nga teknologjia gjysmautomatike për pozitë jashtë loje, e cila vlerëson vendimet e dyshimta duke përdorur kamera të shumta që gjurmojnë gjymtyrët e lojtarëve. Sistemi do të përdoret gjithashtu edhe nga FIFA në Kupën e Botës që mbahet në Katar këtë vit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.