Trajneri i Golden Eagle Yllit, Adis Beçiragiq, e ka udhëhequr Bosnjë e Hercegovinën drejt fitores në ndeshjen e parë të Eurobasketit. Të enjten, Bosnjë e Hercegovina e mposhti Hungarinë me shifrat 95:85 në kuadër të Grupit B, ndeshje që u luajt në Koeln të Gjermanisë.
Edhe pse Hungaria e fitoi çerekun e parë 23:17, Bosnjë e Hercegovina u kthye në tri periudhat tjera për ta siguruar fitoren. Jusuf Nurkiq e Xhanan Musa ishin më të dalluarit, pasi shënuan nga 19 pikë secili. Te Hungaria, Szilard Bekne ishte më efikasi me 20 pikë të shënuara.
Për Bosnjën, kjo ishte fitorja e parë në Eurobasket prej vitit 2015.
Triumfi ndaj Hungarisë vlerësohet tejet i rëndësishëm për Bosnjën duke pasur parasysh kundërshtarët që i ka në grup: Gjermaninë, Slloveninë, Lituaninë dhe Francën. Duelin e ardhshëm, Bosnjë e Hercegovina e luan të shtunën kundër Gjermanisë.