Adis Beçiragiq ka udhëhequr Golden Eagle Yllin drejt dy titujve të kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll. Tani Beçiragiq është i angazhuar te përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës dhe të shtunën ka udhëhequr nga stoli boshnjakët drejt një fitoreje të madhe.
Në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2023, Bosnjë-Hercegovina ka fituar në Sarajevë ndaj Francës me shifrat 96:90. Madje fitoren e ka arritur vetëm pas dy vazhdimeve nga pesë minuta, në një atmosferë të zjarrtë.
Me fitore, Bosnjë-Hercegovina ka mbetur në garë për ta siguruar kualifikimin në Botëror. Aktualisht mban vendin e katërt në grupin K me katër fitore e katër humbje. Në vendin e tretë është Mali i Zi me pesë fitore e tri humbje. Vendi i tretë ofron biletën për Botëror.
Ndeshjet tjera në grup, Bosnjë-Hercegovina i luan në nëntor dhe në shkurt të vitit të ardhshëm.
Beçiragiq tani e udhëheq Bosnjën në Eurobasket.
“Jam i lumtur për fitoren, por shumë i brengosur për numrin e madh të gabimeve në sulm. Fitore e bukur, tifozët na kanë thënë energji shtesë prej 30 për qind. Nuk do të jetë kështu në Eurobasket. Duhet të zvogëlojmë numrin e gabimeve pasi në Evropian nuk do të na ndihmojë askush. Kemi mundur të luajmë shumë më mirë, të fitojmë me 20 pikë dallim”, ka thënë Beçiragiq.
Vetëm pasi të përfundoi Evropiani, Beçiragiq do t’iu kthehet detyrave si trajner i Yllit të Suharekës.
Te Bosnja presin shumë nga ylli i NBA-së, Jusuf Nurkiq. Ai ishte më i miri në fitoren ndaj Francës, duke realizuar 21 pikë e nëntë kërcime.
Fitorja ndaj Francës, që është superfuqi e basketbollit, është vlerësuar lart në Bosnjë.
“E kemi ditur që Franca është përfaqësuese e shkëlqyeshme me lojtarë të shkëlqyeshëm. Për Bosnjën është fitore e madhe, ndaj shtetit të dytë në botë. Francezët kanë lojtarë shumë të mirë. Ishte ndeshje fenomenale edhe për tifozët”, ka thënë Nurkiq.
Trajneri legjendar, Bogdan Tanjeviq, ka uruar Beçiragiqin.
“Të lumtë Adis, ju lumtë djelmosha. Franca është favoritja kryesore për titull në Evropian”, ka theksuar ai.
Eurobasket 2022 fillon më 1 shtator, ndërsa mbahet në Çeki, Gjeorgji, Itali e Gjermani.
Bosnja është në grupin B së bashku me Francën, Lituaninë, Slloveninë, Gjermaninë dhe Hungarinë. Ndeshjen e parë e luan më 1 shtator ndaj Hungarisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.