Dy kampionet olimpike nga Kosova, xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova, do ta mbajnë gradën e nderit, kolonel, në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Lajmin se Distria e Nora janë zyrtarisht të punësuara në Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, përkatësisht se do t’u takojë grada kolonel, e ka dhënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Dy xhudistet pejane janë nderuar për shkak të sukseseve kulmore në sport. Grada kolonel do t’u ndahet edhe atletes Luiza Gega dhe peshëngritësit Briken Calja.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka thënë se kjo formë e nderimit të sportistëve me suksese kulmore, së shpejti, do të bartet edhe në Kosovë. Medalja e artë olimpike është më e madhja e mundshme në sport. Shqipëria ende nuk ka medalje olimpike.
“Kryeministri shqiptar, Edi Rama, me këtë vendim po avancon të drejtat e sportistëve që arrijnë rezultate kulmore. Praktika e shtetit shqiptar është në pothuajse çdo shtet evropian. Praktikë që jemi duke e diskutuar me ministrin Çeku që të fillojë edhe në Kosovë. Patjetër që duhen kritere të veçanta e jo ndryshe. Por që është praktikë e mirë, nuk diskutohet”, ka shkruar Kuka.
Hajrulla Çeku është ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës.
Dy xhudistet do të marrin pagë mujore nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ndërsa nuk parashikohet që të kenë obligime të shumta ndaj saj. Ato do të vazhdojnë stërvitjet në xhudo dhe karrierën në këtë sport luftarak.
Kuka ka kërkuar që pos sportistëve kulmorë, të nderohen edhe trajnerët e tyre.
“Qeveria shqiptare patjetër duhet të parashohë që punësimi të jetë praktikë edhe për trajnerët. Prapë me kritere të veçanta. Nuk po flas për veten. Nga shteti shqiptar do të doja vetëm pasaportën shqiptare, pasi e kam për zemër. Krenar me sportistët tanë shqiptarë që janë në Shqipëri e Kosovë”, ka shkruar Kuka.
Luiza Gega ditë më parë fitoi titull evropian në atletikë, përkatësisht në vrapimin 3000 metra me pengesa. Ndërkohë suksese të mëdha ka edhe peshëngritësi Briken Calja. Janë aktualisht dy sportistët më të mirë të Shqipërisë.
Kuka ka reaguar ditë më parë edhe për faktin që trajneri i Luiza Gegës nuk është përmendur thuajse fare për suksesin e saj në Evropianin në Munih.
Paga për katër sportistët kulmorë do të ndahet deri në fundin e karrierës së tyre, ka njoftuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Ministria e Mbrojtjes ka propozuar kohë më parë ndryshime ligjore, të cilat do të mundësojnë përfshirjen e kampionëve ndërkombëtarë në rangun e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e një strukture speciale, ku ata do të angazhohen si mentorë të ushtarëve tanë, me pagesë sipas gradës, në shërbim të atdheut deri në daljen e tyre në pension. Këto ndryshime i shërbejnë lartësimit afatgjatë të shembullit të kampionëve kuqezinj në promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ligji është në fazën e bashkërendimit me institucionet e linjës, pasi është përmbyllur konsultimi publik dhe në mes të shtatorit do të hyjë në procedurë parlamentare. Sportistët e punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes që do të përfitojnë gradën e kolonelit janë: Luiza Gega – kolonel, Briken Calja – kolonel, Nora Gjakova – kolonel, Distria Krasniqi – kolonel”, ka shkruar Rama, të enjten.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.