Skuadra e Shkupit është futur në karantinë prej ditës së hënë për ndeshjen e kthimit kundër Ballkanit në kuadër të plejofit të Ligës së Konferencës, ka njoftuar “Sportmedia”.
Dueli i kthimit mes Shkupit dhe Ballkanit, zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshjen e parë, të luajtur javën e shkuar, Shkupi e ka humbur me rezultatin 2:1.
Kështu që, trajneri Goce Sedlloski ka vendosur që ekipin ta fusë në karantinë prej të hënës. Shkupi udhëton të mërkurën në Prishtinë, ku do ta mbajë stërvitjen e fundit para ndeshjes të së enjtes kundër Ballkanit. Ndeshja do të luhet në orën 20:00.
“Testi i fundit për Shkupin para fazës së grupeve të Ligës së Konferencës është Ballkani nga Kosova, i cili në mënyrë tronditëse mundi Shkupin me 1:2 në ndeshjen e parë në Shkup javën e kaluar. Tani radha është ndeshja e së enjtes nga ora 20:00 në stadiumin e Prishtinës, ku Shkupi do të duhet të kapërcejë veten dhe të gjitha problemet që u shfaqën në ndeshjen e parë dhe të sigurojë një rezultat të favorshëm”, ka shkruar sajti nga Maqedonia e Veriut.
“Nuk do të jetë e lehtë. Ata janë të vetëdijshëm për mundësinë që po u ofrohet dhe për këtë trajneri Goce Sedlloski urdhëroi që nga sot karantinë për ekipin. Ata udhëtojnë për në Prishtinë të mërkurën, ndërsa ndeshja është të enjten”.