Sport

Zyrtare, Unitedi konfirmon marrëveshjen për Casemiron

Foto: Reuters

Gjiganti anglez i futbollit, Manchester Unitedi, ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Real Madridin për transferimin e Casemiros.

Tani ka mbetur që Unitedi të arrijë marrëveshje personale me lojtarin dhe që Casemiro t’i kalojë testet mjekësore.

“Casemiro i ka luajtur mbi 500 ndeshje profesionale, duke përfshirë 63 në nivelin ndërkombëtar për Brazilin. Ai ka fituar 17 trofe të mëdhenj në karrierën e jashtëzakonshme, duke përfshirë pesë trofe të Ligës së Kampionëve dhe Copa American. Po shikojmë para për të mirëpritur Casemiron në ‘Old Traford’”, ka njoftuar Manchester Unitedi në faqen zyrtare, të premten mbrëma.

Ndërkohë BBC ka njoftuar se transferimi i mesfushorit brazilian do t’i kushtojë Unitedit plot 70 milionë funte.

Casemiro ka luajtur për Realin që nga viti 2013, ndërsa ka fituar tre tituj në La Liga. Për transferimin e tij Unitedi do të ndajë fillimisht 60 milionë funte, ndërsa dhjetë të tjera në bonuse.

Casemiro do të nënshkruajë për katër vjet, me opsion për një vit shtesë. 30-vjeçari është vlerësuar lart për paraqitjet në mesfushën e Realit, së bashku me Luka Modriqin dhe Toni Krossin.

Reali do t’i organizojë përshëndetje brazilianit të hënën në mëngjes, ndërsa prezent do të jetë edhe presidenti i klubit, Florentino Perez.

Mbrojtësi i Unitedit, Raphael Varane, që ka luajtur gjatë me Casemiron te Real Madridi, ka shkruar: “Shumë beteja të luftuara bashkë me Casen. Mirë se vjen në Manchester, ‘amigo’!”.

Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ka vlerësuar shumë lart Casemiron.

“Ai dëshiron sfidë të re, mundësi të re. Unë dhe klubi e kuptojmë. Me atë që ka bërë për klubin dhe çfarë personi është, ne duhet të respektojmë këtë. I dëshirojmë çdo të mirë në sfidën e re”, ka thënë Ancelotti më herët të premten.