Sport

Kampionia e Kosovës pëson 9:0 në ndeshjen e parë në Champions

Kampionia e Kosovës në futboll në konkurrencë të femrave, EP-COM Hajvalia, ka përjetuar humbje të rëndë në Ligën e Kampionëve. Të enjten në Enschede të Holandës, Hajvalia pësoi 9:0 nga Benfica e Portugalisë. Ndeshja i takoi fazës gjysmëfinale të raundit të parë kualifikues të Championsit.

Benfica në fakt ishte favorite e madhe në ndeshje dhe këtë e dëshmoi në fushën e lojës. Rebelo shënoi për 1:0 në minutën e tetë, ndërsa portugezët nuk u ndalën më. Shënuan edhe tetë gola të tjera deri në fund, për fitore shumë të lartë.

Benfica kaloi në finale të raundit të parë kualifikues, ndërsa Hajvalia më 21 gusht e luan ndeshjen për vend të tretë. Por avancimi tutje i Hajvalisë nuk është i mundur. Te Hajvalia kishin pranuar forcën e skuadrës portugeze dhe ishin të vetëdijshëm se i pret ndeshje shumë e vështirë. Te Hajvalia paraqiten disa reprezentuese të Kosovës. Kjo skuadër ka ndërprerë dominimin e Mitrovicës në futbollin e femrave në vend.