Sport

“Munich 2022”, ngjarja me shumë Kampionate Evropiane ku po garojnë edhe sportistët kosovarë

Kampionate Evropiane në nëntë sporte të ndryshme mbahen në Munih të Gjermanisë, në kuadër të ngjarjes “European Championships Munich 2022”. Kjo ngjarje shumësportëshe tashmë ka nisur, ndërsa gjatë saj mbahen Evropianët në atletikë, volejboll në rërë, kanu, çiklizëm, gjimnastikë, kanotazh, ngjitje sportive, pingpong dhe triatlon.

Në atletikë, çiklizëm, pingpong e triatlon garojnë edhe sportistët e Kosovës.

Gjithsej në “Munich 2022” marrin pjesë 4700 sportistë që garojnë në 177 ngjarje për medalje. Pra mbahen kampionate evropiane në sportet përkatëse dhe për herë të dytë në një vend.

Edicioni i parë i ngjarjes “Kampionatet Evropiane” ishte mbajtur në vitin 2018 në Berlin dhe në Glasgow.

Çiklistët e Kosovës, Alban Delija e Blerton Nuha të dielën e kishin garën e parë. Por jo të suksesshme. Ata garuan në garën rrugore. Por nuk arritën në finish. Pra nuk e kanë përfunduar fare garën.

15 çiklistë që startuan nuk e përfunduan garën. Një çiklist nuk startoi fare, ndërsa shtegun e përfunduan 125 çiklistë. Rezultat të mirë kishte Ylber Sefa i Shqipërisë. Ai u rendit i 28-i në Evropë. Kishte kohë prej 4:38.57 orë. Fitues me kohë prej 4:38.49 orë, ishte holandezi Fabio Jakobsen. Çiklistët kanë garuar në shtegun e gjatë 209,4 kilometra.

Ndërkohë gara ka përfunduar për Albion Ymerin, që të shtunën u paraqit në triatlon.

Ymeri zgjodhi që të mos paraqitet në grupin e garuesve elitarë (Elite Men), por në një prej garave të ndara sipas grupmoshave. Pra jo me më të mirët. Garoi në grupmoshën 25-29 dhe u rendit i 12-i. Kishte kohë prej 1:04.00 orë. Triatloni përbëhet nga noti, çiklizmi dhe vrapimi.

Garat i kanë nisur edhe pingpongistët. Të shtunën, Fatir Karabaxhak e Linda Zeqiri e humbën 3:1 përballjen e parë në çifte të përziera. Të dielën dy pingpongistët garuan në konkurrencë individuale.

Linda Zeqiri pësoi 3:0 në sete nga Filippa Bergand e Suedisë. 11:3, 11:4, 11:5 përfunduan setet. 3:0 humbi edhe Fatih Karabaxhak. Atë e mposhti Jiri Martinko i Çekisë. 11:8, 11:7, 11:3 përfunduan setet në të mirë të Martinkos. Humbjet rresht në fakt nuk janë të reja për pingpongistët kosovarë në garat e mëdha ndërkombëtare.

Atleti premtues, Muhamet Ramadani, garon të hënën. Por gjasat që ai të përfshihet në garë për medalje evropiane në hedhje të gjyles thuajse nuk ekzistojnë. Rekordi personal i Ramadanit është 18.72 metra. Të gjithë pjesëmarrësit e tjera kanë hedhjet më të mira prej më shumë se 20 metra, disa edhe mbi 22 metra. Ramadani ka udhëtuar me synim të qartë në Evropian, ta përmirësojë rekordin personal dhe të arrijë distancë prej 19 metra.

“Objektivin e kemi të qartë, të bëjmë hap para, përkatësisht të arrijmë distancën e 19 metrave. Konkurrenca është shumë e fortë. Është Evropian dhe janë më të mirët. Por për ne gara si këto janë përvojë e domosdoshme për të arritur atje ku synojmë”, ka thënë për KOHËN, Shaban Ramadani, babai i trajneri i Muhamet Ramadanit.

Në Munih të Gjermanisë garon edhe atletja Gresa Bakraçi.