2 perditesime
18:54

Goli i Useinit në minutat shtesë i jep fitoren Prishtinës

Muhamed Useini ka shënuar gol në minutën e tretë të kohës shtesë për Prishtinën dhe ia ka dhënë fitoren skuadrës mysafire.

Useini shënoi me kokë pas harkimit të Endrit Krasniqit.

Prishtina me golin e Useinit fitoi me rezultatin 2:1 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Ishte ndeshja e parë e sezonit.

Golin e parë në edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll e shënoi Endrit Krasniqi.

Mesfushori i Prishtinës në minutën e 27-të shënoi supergol nga gjuajtja e lirë.

Rezultati u barazua pesë minuta para fundit të pjesës së parë.

Sulmuesi i klinasve, Ahmed Januzi, shënoi me gju nga afërsia ndaj ish-skuadrës.

Por, Useini u shkëput më së larti për pikët e plota të Prishtinës. Është edhe fitorja e parë e trajnerit të ri Ismet Munishi, që debutoi me “bardhekaltrit”.

Në xhiron e dytë, Dukagjini udhëton te Drita, kurse Prishtina i shkon Ferizajt.

17:43

Januzi barazon shifrat ndaj Prishtinës

Ahmed Januzi në minutën e 40-të të ndeshjes ka barazhuar shifrat ndaj Prishtinës.

Januzi e shfrytëzoi më së miri mbrojtjen e hutuar të Prishtinës dhe shënoi me gju nga afërsia.

Rezultati në Klinë ndërmjet Dukagjinit e Prishtinës është 1:1.

17:29

Krasniqi shënon golin e parë në edicionin e ri të Superligës

Endrit Krasniqi është golashënuesi i parë i edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll.

Mesfushori Krasniqi në minutën e 27-të realizoi supergol nga gjuajtja e lirë për Prishtinën, që po avancon me rezultatin 1:0 ndaj Dukagjinit.

Ndeshja po zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.