Sport

Tottenhami do ta ketë testin e vërtetë në fundjavë

Tottenhami pati paraqitje mbresëlënëse para nisjes së sezonit, e si të tillë e pati edhe startin në Premier League.

Tottenhami është i pari në tabelë falë goldallimit më të mirë, por testin e vështirë do ta ketë të dielën në udhëtim te Chelsea në orën 17:30.

Antonio Conte ka krijuar ekip solid, me transferimin e Richarlisonit, Yves Bissoumas, Ivan Perishiqit, Djed Spences, Clement Lengletit dhe Fraser Forsterit.

Por, asnjëri nga ta nuk ishte titullarë në fitoren 4:1 kundër Southamptonit.

Spursi e ka vetëm një fitore në ligë në “Stamford Bridge” në 32 vjet. Chelsea nga ana tjetër pati nisje jo fort bindëse, por megjithatë fitoi minimalisht ndaj Evertonit falë penalltisë së shënuar nga Jorginho.

Trajneri i “bluve të Londrës”, Thomas Tuchel, ka thënë se skuadra e tij do të përmirësohet në vazhdim.

Dy ish-bashkëlojtarë tek Anglia, tani trajnerë, Steven Gerrard dhe Frank Lampard, do të ballafaqohen mes vete të shtunën në orën 13:30, kur Aston Villa e pret Evertonin. Të dyja i kërkojnë pikët e para të këtij sezoni.

Skuadra që drejtohet nga Gerrard, Aston Villa, ka fituar vetëm dy nga 12-të ndeshjet e fundit të Premier Leagues. Ato ishin ndaj Norwichit dhe Burnleyt, të cilat ranë nga liga.

Manchester Unitedi e pati startin më të dobët në javën e parë të elitës së futbollit anglez. Brightoni arriti që të fitojë për herë të parë në “Old Trafford”, duke e goditur fort optimizmin e “Djajve të kuq” për një sezon të shkëlqyer. Unitedin e drejton trajneri holandez Erik ten Hag.

Ten Hag dhe Unitedi do të mundohen të këndellen në këtë fundjavë pasi luajnë në udhëtim te Brentfordi të shtunën në orën 18:30.

Kampioni i Anglisë, Manchester City, që e fitoi ndeshjen e parë ndaj West Hamit me dy gola të Erling Haalandit, do të luajë të shtunën në orën 16:00 kundër Bournemouthit.

Nënkampioni Liverpooli e mbyll xhiron e dytë në shtëpi kundër Crystal Palaceit. Liverpooli në ndeshjen e parë barazoi me Fulhamin 2:2.