Donis Avdijaj ka kaluar nëpër shumë klube evropiane në karrierën e tij. Zuerichu është klubi i tij i dhjetë.
Avdijaj, 25-vjeçar, vlerësohej një prej lojtarëve më premtues në Gjermani, sa ishte pjesë e Schalkes. Por ai thotë se nisjen më të mirë të karrierës e ka me Zuerichun, kampionin në fuqi të Zvicrës.
Zuerichu në kampionat pozicionohet në vendin e fundit. Nuk ka fitore e as gol të shënuar, derisa ka pranuar nëntë. E ka një barazim e tri disfata.
Por në garat evropiane, si Avdijajt, ashtu edhe Zuerichut, nuk po iu mungon shkëlqimi.
Sulmuesi, që ka paraqitje edhe me Përfaqësuesen e Kosovës, të enjten mbrëma realizoi dy gola në fitoren e Zuerichut me shifrat 3:0 kundër Linfieldit të Irlandës së Veriut, në ndeshjen kthyese të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Për Avdijajn ishte dygolshi i dytë këtë sezon. I pari ishte në rundin e parë të Bundesligës së Austrisë, kur shënoi për Hartbergun kundër Altachut. Më pas iu bashkua Zuerichut, ku po punon me ish-trajnerin Franco Foda, që e njeh nga Sturm Grazi.
“Po e kaloj startin më të mirë në karrierë. Pas javës së parë këtu jam shumë i bindur për kualitetin e ekipit dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që po luaj me këta djem. Dua ta jap më të mirën këtu”, ka thënë Avdijaj, shkruan të premten gazeta zvicerane “Blick”.
“Më pëlqen të shënoj gola, që është dëshirë e çdo lojtari në botë. Por, më pëlqen edhe më shumë kur skuadra fiton. Kur unë i kombinoj këto dyja, është ndjenjë e jashtëzakonshme. Prioritet është që ta lëmë fushën si fitues dhe t’i gëzojmë tifozët tanë”, është shprehur Avdijaj.
Avdijaj të enjten realizoi dy gola të shpejtë, për 14 minuta. Në minutën e 11-të realizoi me gjuajtje të fuqishme nga zona, ndërsa në minutën e 25-të shënoi me kokë nga afërsia.
Avdijaj me Zuerichun, për të hyrë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, do të luajë të enjten kundër Heartsit të Skocisë. Heartsi është një tjetër ish-skuadër e Avdijajt. Zuerichu në fakt veçse është i kualifikuar në fazë grupore. E ka të sigurt fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, por Avdijaj dëshiron më shumë. E do Ligën e Evropës.
“Heartsi? Është e kaluar. Tani jam te Zuerichu. Ne dëshirojmë që të shkojmë atje e të fitojmë. Liga e Evropës është synimi jonë”, ka thënë Avdijaj, i cili është i bindur se rezultatet pozitive të ekipit do të vijnë edhe në Superligën e Zvicrës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.