Sport

Te skuadra elitare zvicerane presin shumë nga reprezentuesi i Kosovës

Drilon Tahirukaj është aloja e djathtë e parë e Kosovës. Te Deçani në edicionin e kaluar të Superligës së Kosovës në hendboll kryesisht është aktivizuar në pozitën e bekut të djathtë. Për pozitën e bekut të djathtë është angazhuar edhe te skuadra zvicerane, Kreuzlingen.

Kreuzlingeni të enjten ka bërë zyrtarë transferimin e Drilon Tahirukajt. Kjo skuadër për herë të parë do të luajë në Superligën e Zvicrës, ndërsa në përbërje ka shumë shqiptarë. Dhe beku i parë i djathtë, përkatësisht fundori që gjuan me dorë të majtë, është Drenit Tahirukaj. Dreniti është vëllai i Drilonit e po ashtu reprezentues i Kosovës. Dhe Driloni është angazhuar nga Kreuzligeni si mbështetje për Drenitin.

Dreniti është golashënuesi më i mirë i Kreuzligenit. Prej tij pritet shumë edhe në edicionin e ri që fillon më 1 shtator. Por shumë pritet edhe nga Drilon Tahirukaj, 26-vjeçari që shumë vjet i kaloi te Besa Famgas, skuadra nga Peja. Për edicionin e kaluar, Drilon Tahirukaj ishte larguar nga Besa dhe kishte kaluar te skuadra e vendlindjes, Deçani, ku ishte lojtari kryesor. Është shquar me efikasitet.

“Drilon Tahirukaj luan në krahun e djathtë në nivelin ndërkombëtar. Por është paraparë si mbështetje për vëllain e tij në pozitën e bekut të djathtë te HSC Kreuzlingen. Në pozitën e alos së djathtë, skuadra tashmë i ka dy lojtarë me David Fricker e Jonas Heim. Por nuk i kishte dy në pozitën e bekut të djathtë”, ka shpjeguar klubi zviceran.

Te Kreuzlingeni janë edhe kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj, lojtari kryesor i mbrojtjes, Bujar Ramosaj, dhe portieri i parë, Haris Berisha.

“Kemi dashur të bëjmë ndryshim sa i takon kësaj pozite dhe Driloni ka dashur të vijë te ne”, ka thënë trajneri dhe drejtori sportiv i Kreuzlingenit, Heiko Grimm.

“Kreuzligeni është i bindur se lojtari i shpejtë dhe teknikisht i aftë, i cili ka shumë përvojë ndërkombëtare, do të sjellë edhe më shumë shtrirje dhe kualitet në skuadër”, thuhet tutje në njoftimin e klubit.

Me Luigj Qunin që, po ashtu, luan në elitën zvicerane, gjysma e përfaqësueses së Kosovës në hendboll tani bën karrierë në shtetin helvetik.

Image
Drilon Tahirukaj