Elvis Rexhbeçaj javë më parë u zyrtarizua si lojtar i ri i skuadrës së Augsburgut që bën gara në Bundesligës e Gjermanisë. Dhe, transferimi i tij tek Augsburgu bëri bujë të madhe. Rexhbeçaj vlerësohet lart në Gjermani, por fillimi i aventurës së re me Augsburgun nuk ishte ai që mesfushori qendror e ka dashur.
Augsburgu u mposht në shtëpi me rezultatin e thellë 4:0 nga Freiburgu në ndeshjen e rundit të parë të sezonit të ri të Bundesligës. Freiburgu me atë fitore zgjati serinë në tetë ndeshje pa humbje ndaj skuadrës ku luan mesfushori nga Prizreni. Në këtë duel që u luajt të shtunën, Rexhbeçaj ishte titullar dhe luajti deri në minutën e 75-të.
Sidoqoftë, ai nuk shqetësohet shumë me këtë disfatë, pasi beson se sukseset me skuadrën e re do të vijnë në javët e ardhshme të kampionatit.
“Nuk qëlluam afër kundërshtarit në golat që pranuam. Duhet të jemi më agresivë dhe të mbrohemi lojtar për lojtar brenda në zonë”, ka thënë Rexhbeçaj të mërkurën, shkruan mediumi gjerman “Kicker”.
E shpresa për të marrë një rezultat pozitiv, Rexhbeçaj ka në xhiron e dytë edhe pse kundërshtari këtë herë është dukshëm më i fortë se Freiburgu. Këtë vikend, Augsburgu do të përballet me Bayer Levekusenin. Kundër Leverkusenit, Augsburgu nuk ka fituar asnjëherë, por Rexhbeçaj thotë se edhe kundërshtari nuk është në formën më të mirë, andaj kjo duhet shfrytëzuar për një rezultat të mirë.
“Edhe Leverkuseni nuk është në formën më të mirë”, thotë 24-vjeçari, që i referohet eliminimit të Levekusenit nga Kupa e Gjermanisë dhe disfatës 1:0 në shtëpi nga Borussia Dortmundi në xhiron e parë të sezonit të ri në elitën e futbollit gjerman.
Rexhbeçaj që luajti një orë në debutim me Augsburgun në rundin e parë të Kupës së Gjermanisë në fitoren 4:0 kundër Lohnes, karrierën e ka nisur tek të rinjtë e Wolfsburgut dhe deri vonë ky ekip e kishte në pronësi kartonin e tij. Prizrenasi i talentuar karrierë në të kaluarën kishte bërë edhe te Koelni dhe Bochumi, si i huazuar.
Ai thotë se ka nisur të ambientohet me rrethin e ri. Me Augsburgun nënshkroi kontratë katërvjeçare. Transferimi i tij u bë për dy milionë euro, që mund të shkojë deri në katër milionë euro me bonuse. Për Rexhbeçajn interesim kishin shprehur edhe Schalke, Werder Bremeni e Stuttgarti në Gjermani, Sampdoria në Itali dhe Beshiktashi në Turqi.
“Zgjodha Augsburgun sepse më dëshironte me ngulmim. Trajneri Enrico Maassen më thërriste çdo javë dhe më tregonte për planin e tij, nga i cili unë u binda. Augsburgu është vend i mirë dhe nuk ka shumë skuadra në Bundesligë që kanë qenë në këtë rang garash për 12 vjet rresht”, thotë Rexhbeçaj.
Sipas tij, shpirti optimist që është përhapur shumë brenda grupit gjatë fazës përgatitore nuk ka filluar të zbehet. Madje, thotë se kjo do të vihet në pah në javët e ardhshme.
“Ne të gjithë e dimë se çfarë shkoi keq nga ndeshja e parë, por po ashtu jemi të vetëdijshëm se çfarë kemi bërë mirë. Nuk e shoh që atmosfera brenda ekipit ka nisur të keqësohet. Nuk duhet të dorëzohesh e të lësh prapa çdo gjë që ke ndërtuar gjatë gjithë kësaj periudhe pas vetëm një disfate”, ka përfunduar Rexhbeçaj.
Rexhbeçaj në Bundesligë ka më shumë se 100 ndeshje të zhvilluara. Me ekipin e parë të Wolfsburgut luajti në 32 ndeshje, me statistika prej 2 golave e 2 asistimeve. Me Koelnin pati 45 paraqitje gjithsej, ndërsa kishte kontribuuar me shtatë gola e shatë asistime. Te Bochumi edicionin e shkuar zhvilloi 36 ndeshje në total, teksa pati dy asistime. Ai ende nuk ka luajtur për ndonjë përfaqësuese, teksa mund ta zgjedhë Kosovën. Zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) disa herë kanë thënë se janë të interesuar për shërbimet e tij.