Sport

Te Shkupi të bindur se do ta kalojnë Shamrockun

Te Shkupi janë të vendosur për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë dhe ta kalojnë Shamrock Roversin e Irlandës në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Nëse e kalon Shamrockun, skuadra shqiptare e siguron paraqitjen në fazën grupore, të paktën në Ligën e Konferencës.

Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, e pret Shamrockun në stadiumin “Todor Proeski” të martën nga ora 21:00. Ndeshjen e parë të luajtur javën e kaluar në Irlandë, Shamrocku e kishte fituar me shifrat 3:1. Madje golin e tretë skuadra irlandeze e kishte shënuar në minutën e 97-të. Shkupit i duhet fitore me dy gola dallim për të siguruar vazhdimet, ndërsa me fitore me tre gola dallim avancon në plejofin e Ligës së Evropës, që është niveli i dytë i garave evropiane.

“Kur luajmë ndeshje të tilla sigurisht se duhet të jemi 100 për qind të fokusuar. Na vjen keq për mënyrën se si i pranuam golat në ndeshjen e parë. Por tani fillojmë nga e para. Luajmë kundër një ekipi të vështirë. Ka besim dhe motiv te lojtarët dhe duhet patjetër të fitojmë. Tifozët, që janë lojtari ynë i dymbëdhjetë, i ftoj të jenë me ne deri në fund”, ka theksuar trajneri i Shkupit, Goce Sedloski.

Shkupi pret përkrahje të madhe nga tifozët shqiptarë për ndeshjen e së martës mbrëma.
Nëse eventualisht eliminohet nga Shamrocku, Shkupi vazhdon në plejofin e Ligës së Konferencës. Në atë fazë do të takohet me Ballkanin, nëse kampioni kosovar e eliminon Klaksvikun e Ishujve Faroe.

“Sigurisht që pas rezultatit në Irlandë, kundërshtari ka një komoditet më të madh. Por futbolli luhet deri në minutën e fundit. Nuk e merituam atë rezultat. Në pjesën e dytë kemi luajtur mirë dhe treguam Shkupin e vërtetë. Shënuam dhe krijuam mundësi të tjera për ta fituar ndeshjen. Por nuk kishim fat. Tani luajmë në Shkup dhe gjithçka varet nga ne. Nëse luajmë lojën tonë, besoj se do ta kthejmë rezultatin. Dua t’i ftoj të gjithë ata që i duan futbollin dhe klubin, në veçanti ‘Shvercerat’, që të na përkrahin. Unë si kapiten premtoj që do të japim më të mirën në fushë”, ka thënë kapiteni i Shkupit, portieri Kristian Naumovski.

Shkupi garimin evropian e nisi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. E eliminoi Lincolnin e Gjibraltarit. Më pas luajti dy ndeshje të mëdha me Dinamon e Zagrebit. Në “Maksimir” barazoi 2:2, ndërsa në Shkup, ndonëse luajti mirë, pësoi 1:0. Kështu Dinamo avancoi në Champions, ndërsa Shkupi u zhvendos në Ligën e Evropës. Synon të vazhdojë në Ligën e Evropës, ndërsa vetëm në rast të eliminimit zhvendoset në Ligën e Konferencës.