Sport

Xhemajli te skuadra nga Lihtenshtajni që garon në Zvicër

Arbenit Xhemajli

Mbrojtësi i qendrës, Arbenit Xhemajli karrierën e vazhdon te skuadra e Vaduzit. Vaduzi është skuadër nga Lihtenshtajni, që në mungesë të konkurrencës garon në Zvicër. Aktualisht është në kategorinë e dytë helvetike. Xhemajli 24-vjeçar, së fundi ishte te Sunderlandi në Angli. Ndërkohë me Vaduzin ka firmosur për dy vjet. Xhemajli është zhvilluar te Zuerichu, para se të luante për Xamaxin, nga viti 2017.

Për Xamaxin i luajti 51 ndeshje, 40 prej tyre në Superligën e Zvicrës. Më pas kaloi te Sunderlandi, por nuk depërtoi në ekipin e parë. Ka pasur një lëndim të rëndë të gjurit, në tetor të vitit 2020, ndërsa i ka luajtur vetëm tetë ndeshje për ekipin U21 dhe pesë të tjera për ekipin e parë.

“Me Arbin, fitojmë një mbrojtës me përvojë, përkundër moshës së re që ka. Ai do të na jap stabilitet shtesë në mbrojtje”, ka thënë drejtori sportiv i Vaduzit, Franz Burgmeier. Xhemajli ka pesë ndeshje me U21 të Kosovës dhe një me Kosovën A.