Sport

Donis Avdijaj te kampioni i Zvicrës

Është rritur numri i futbollistëve shqiptarë te kampioni në fuqi i Zvicrës, Zuerichu.

Klubi helvetik të hënën ka njoftuar se ka firmosur me Donis Avdijajn, sulmuesin 25-vjeçar. Avdijaj te Zuerichu ka kaluar nga Harbergu austriak, ndërsa ka firmosur për tri vjet.

“Donisi ka aftësi të mëdha të futbollit. Ai mund të shfrytëzohet në shumë pozita në ofenzivë dhe ka cilësi në përfundim të aksioneve”, ka thënë Marinko Jurendiq, drejtor sportiv i Zuerichut.

Avdijaj vlerësohej talent i madh në moshë të re, por asnjëherë nuk ka shfaqur më të mirën që i parashikohej. Ishte zhvilluar në Gjermani te Osnabrucku dhe Schalke, që i kishte vënë një klauzolë të lartë largimi. Kishte luajtur disa ndeshje për ekipin e parë të Schalkes, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Sturm Grazi, Roda, Willem II, Trabzonspori, Hearti, Emmeni, Limmasoli dhe së fundi te Hartbergu. Ka luajtur për U16, U17 e U19 të Gjermanisë, ndërsa pjesë e Kosovës ishte në vitet 2017 e 2018, kur i luajti gjashtë ndeshje dhe i realizoi dy gola.

Pjesë e Zuerichut janë Blerim Xhemaili, Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Bledian Krasniqi e Lindrit Kamberi. Kjo skuadër ka nisur shumë keq edicionin 2022/2023. Ka një barazim e dy humbje në tri ndeshjet e para dhe renditet e fundit në Superligën e Zvicrës.