Sport

Rusia planifikon ligë futbolli me klubet e territoreve të pushtuara

Ministria e Sportit e Rusisë planifikon të organizojë një ligë futboll, të ndarë nga sistemi rus. Ideja është që të përfshihen klubet e territoreve të pushtuara nga Rusia, si ato në Gjeorgji e Ukrainë, ka shkruar gazeta zvicerane “Blick”.

Në këtë ligë, që Rusia e quan “Liga e republikave mike”, është planifikuar të marrin pjesë ekipe nga territoret gjeorgjiane Osetia e Jugut dhe Abkhazia si dhe ato ukrainase nga Luhansku, Donetsku, Krimeja, Khersoni e Zaporozhie, ka bërë të ditur zv.ministri i Sportit në Rusi, Odes Bejsultanow.

Sipas tij, kampionati është menduar të mbahet brenda vitit 2023, të fillojë në mars dhe të përfundojë në nëntor.

UEFA dhe FIFA nuk i pranojnë këto liga. Këto organizata nuk kanë pranuar as përfshirjen e ekipeve të Krimesë në ligat ruse.

Rusia ka aneksuar Krimenë në vitin 2014 dhe që nga atëherë, ekipet nga ky gadishull ukrainas luajnë mes vete pa njohje dhe pa dalje në garat evropiane.