Sport

Me palestrën e rinovuar, KB Bashkimi synon të jetë konkurrent i fortë në sezonin e ri

 

Me konfirmimin e trajnerit, drejtuesit e Bashkimit kanë nisur ndërtimin e ekipit për sezonin 2022/23 në Superligën e Kosovës në basketboll. Darko Raduloviq do të jetë në krye të Prizrenit edhe për sezonin e ri, në të cilin synojnë rezultate dukshëm më të mira se në edicionin 2021/22. Raduloviq ishte në krye të Bashkimit në fund të sezonit të shkuar dhe arriti ta sigurojë pjesëmarrjen në plejof, ndonëse një gjë e tillë nuk ishte e sigurt për ekipin deri në xhiron e fundit të pjesës së rregullt. Pasi kanë siguruar trajnerin nga Maqedonia e Veriut edhe për një sezon, Bashkimi ka transferuar edhe lojtarin e parë vendor. Qendra Fisnik Rugova, që sezonin e fundit ishte pjesë e Rahovecit, do ta bartë fanellën e Bashkimit. Rugova në Kosovë ka luajtur edhe te Peja e Sigal Prishtina dhe ka fituar çdo trofe që mund të fitohet në basketbollin kosovar. Megjithatë, krerët e klubit kanë në mendje edhe disa vendorë të tjerë, të cilët pritet t’i zyrtarizojnë ditëve në vijim. Muhamedali Janjeva e Altin Morina pritet të jenë përforcimet e radhës te Bashkimi, gjë që është konfirmuar edhe nga drejtori gjeneral i klubit, Arlind Kaçaniku. Janjeva edicionin e shkuar ishte kapiten i Sigal Prishtinës, kurse Morina që u aktivizua fillimisht te Rahoveci dhe më pas te Ponte Prizreni. Kaçaniku zbuloi se janë në kontakte edhe me reprezentuesin e Kosovës, Lis Shoshin, por nuk dha shumë detaje për këtë çështje.

“Po besoj se shumë shpejt do të zyrtarizohen edhe të tjerët pas Fisnik Rugovës. Jemi në negociata të avancuara me Janjevën e Morinën dhe besoj se do të arrijmë marrëveshje. Kemi pasur kontakte edhe me Shoshin, por nuk ka ende asgjë konkrete”, ka thënë Kaçaniku të shtunën për KOHËN. “Po ashtu, kemi vazhduar edhe me trajnerin dhe së bashku jemi duke hulumtuar tregun për ta kompletuar ekipin”.