Sport

Ylli zyrtarizon Shirkon e Armsteadin

Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli është forcuar edhe me dy lojtarë për sezonin e ri. Ekipi nga Suhareka ka zyrtarizuar të shtunën, kroatin Henrik Shirko dhe amerikanin Malcolm Armstead.

Shirko, i cili ishte pjesë e Yllit sezonin e shkuar ka firmosur kontratë dyvjeçare kurse Armstead për një vit.

Armstead llogaritet lojtar vendor pasi posedon pasaportën e Kosovës dhe ka qenë pjesë e përfaqësueses. Ai ka luajtur edhe te Sigal Prishtina e Peja.

“Të dashur tifozë, kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se kemi vazhduar kontratën me lojtarin e ekipit kampion Henrik Shirko, i cili do të jetë me ne drejt synimeve të reja edhe për 2 vitet e ardhshme”, thuhet në njoftim. “Pjesë e klubit do të jetë edhe amerikani me pasaportë të Republikës së Kosovës Malcolm Armstead, i cili ka përvojë në Superligën e Kosovës dhe gjithashtu në ligat ndërkombëtare”.

Ylli sezonin e ri, do të paraqitet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.