Sport

Drita, e motivuar para përballjes me belgët

 

Futbollistët e Dritës, të mërkurën në mbrëmje, e kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore një natë para ndeshjes kundër Antwerpit. Ekipi kosovar përgatitjet finale i ka bërë në stadiumin “Bosuil”, aty ku edhe do të luhet ndeshja, të enjten prej orës 19:00. Ky është takimi i parë i rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Për të arritur në këtë fazë, Drita eliminoi Inter Turkun e Finlandës në rundin e parë kualifikues. 1:0 humbi në Turku, por ia doli që të rikthehet fuqishëm në ndeshjen e kthimit në Prishtinë, duke fituar 3:0 për të kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm prej 3:1. Kurse, Antwerpi e nis aventurën evropiane nga rrethi i dytë, pikërisht ndaj nënkampiones së Kosovës. Te Drita synojnë paraqitje dinjitoze përballë ekipit belg në duelin e parë, e pastaj për të shpresuar kalimin tutje në ndeshjen e kthimit, që zhvillohet javën tjetër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Gjilanasit do të synojnë të lënë përshtypje të mirë sikurse ndaj Feyenoordit para një viti. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, e ka vlerësuar lart ekipin kundërshtar në konferencën për shtyp, të mërkurën mbrëma. Sipas tij, do të jetë ndeshje e fortë ndaj një kundërshtari cilësor dhe me projekt të qartë. Megjithatë, niveli i lartë i kundërshtarit, Nuhiu thotë se është motiv shtesë për ekipin që ai e drejton.

“Do të jetë një ndeshje e fortë kundër një kundërshtari shumë serioz, stabil dhe me një projekt serioz. Kemi analizuar aq sa kemi mundur kundërshtarin nën udhëheqjen e trajnerit të tanishëm. Ata luajnë futboll të bukur, skuadër kompakte dhe gjithashtu me individ cilësor. Projekti që ata kanë, stabiliteti i skuadrës, tradita e tyre dhe forca që ata kanë, do të jetë motiv për ne”, deklaroi Nuhiu.