Sport

Ballkani e Drita mësojnë kundërshtarët eventualë të raundit të tretë

Ballkani dhe Drita, kanë mësuar kundërshtarët eventualë për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës pas shortit të tërhequr të hënën.

Dy skuadrat kosovare do të paraqiten në raundin e dytë kualifikues të kësaj gare, që është e treta për kah niveli të garave të UEFA-s, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Ballkani garat evropiane i ka nisur në Ligën e Kampionëve, por pas eliminimit në raundin e parë, i ka vazhduar ato në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Në rast se Ballkani tejkalon në këtë raund ekipin nga San Marino, La Fiorita, atëherë në raundin e tretë do të përballet me fituesin e duelit mes Sutjeskës së Malit të Zi dhe Klaksvikut të Ishujve Faroe.

Ndërkohë, Drita që në raundin e dytë ka përballë Antwerpin e Belgjikës, në raundin e tretë do të përballet me fituesin e duelit ndërmjet SJK Seinajoki nga Finlanda dhe Lillestromit nga Norvegjia.