Sport

Xhudo, Kosova me gjashtë medalje në Kampionatin Ballkanik

Xhudoja e Kosovës vazhdon të korrë suksese në garat ndërkombëtare.

Në Kampionatin Ballkanik të shtunën në Pazarxhik të Bullgarisë, Kosova fitoi gjashtë medalje, një të artë, një të argjendtë e katër të bronzta.

Me medaljen e artë u kurorëzua Shpati Zekaj në kategorinë deri në 100 kilogramë.

Me medalje të argjendtë u stolis Erza Muminoviq në kategorinë 48 kilogramë, kurse Loriana Kuka 78 kg, Dardan Cena 73 kg, Muhamedin Veseli 60 kg dhe Debora Gjakova 57 kg, fituan medalje të bronztë.

“Foto nga kampionët Ballkanik për seniorë në Pazarxhik të Bullgarisë! Shpati dominoi në të gjitha luftërat dhe u kurorëzua me titullin Kampion Ballkanik”, ka shkruar trajneri Driton Kuka ndër të tjera në faqen e tij në Facebook.

Me ekipin e xhudistëve në Bullgari ishin trajnerët Meli Zeka dhe Cuki Veseli.

Laura Fazliu garoi në garën Grand Prix të Zagrebit, por u mposht në luftën e parë nga xhudistja Ariela Sanchez nga Republika Dominikane, në kategorinë deri në 63 kilogramë.