Gara nuk ishte e nivelit superior, por kundërshtarja e fundit e Distria Krasniqit po. Xhudistja kosovare të premten ka fituar medaljen e argjendtë në garën Grand Prix të mbajtur në Zagreb. Ajo ka vazhduar serinë e garave të suksesshme.
Distria në finale u përball me xhudisten bindshëm më të mirë në botë, japonezen Uta Abe. U mposht me “Ippon”.
Japonezja Abe është yll global. Është kampione olimpike nga “Tokio 2020”. Ka edhe dy tituj botëror, ndër të tjera.
I ka vetëm tri humbje në karrierën ndërkombëtare.
Përballja me Aben në finalen e kategorisë deri 52 kilogramë, është me vlerë të madhe për Distrinë.
Japonezja shihet rivale e madhe e xhudistes sonë për Botërorët e ardhshë dhe për Lojërat Olimpike të Parisit.
Edhe në vitin 2018, Abe e kishte mposhtur Distrinë, në Paris.
Finalja në Zagreb nisi shumë vrullshëm. Të dy xhudistet kërkuan hedhjen, por ishte Abe që realizoi aksionet për fitore. Natyrisht Distria dhe trajneri Driton Kuka do të nxjerrin mësimet e duhura prej kësaj lufte dhe në përballjen e ardhshme me Aben do të synojnë më shumë.
Deri në finale, Distria i ka shënuar katër fitore. Nisi bindshëm ndaj qipriotes Sofia Asvesta. E mposhti më pas zviceranen Binda Ndiaye. Në çerekfinale e kaloi mongolen Khorloodoi Bishrelt. Ndërkohë në gjysmëfinale ishte më e mirë se izraelitja Primo Gefen. Gefen ishte bartëse e parë, ndërsa Distria bartëse e katërt. Për shkak të kalimit nga kategoria 48 kilogramë në atë deri 52 kg, Distria ende nuk është në majë të ranglistës botërore.
Distria me rrugëtim impresiv siguroi finalen me Aben, që nuk kishte garuar që nga “Tokio 2020” që u mbajt verën e kaluar.