Sport

Trajneri i Malishevës vlerëson përforcimet, pret ardhje të tjera

Malisheva ka prezantuar tre futbollistë të hënën. Kreshnik Bahtiri, Alush Gavazaj dhe Bleart Tolaj do ta ndihmojnë Malishevën në edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll. Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi vlerëson përforcimet, por thekson se skuadrës i duhen edhe ardhje të tjera.

Malisheva vetëm përmes plejautit siguroi mbetjen në elitë. Disa lojtarë janë ndarë me skuadrën malishevase, por me Tolajn, Gavazajn e Bahtirin konkurrenca në grup pritet të rritet ndjeshëm.

“Janë lojtarë me përvojë dhe e njohin ligën e Kosovës. Janë lojtarë që i përshtaten ekipit dhe natyrisht që presim të japin më të mirën. Tolaj ka nënshkruar për dy vjet, ndërsa Gavazaj e Bahtiri për një vit. I kemi ende disa pozita që realisht nuk janë mbuluar si duhet. Kemi disa lojtarë që nuk kanë përvojën e duhur dhe në ato pozita do të përforcohemi. Presim një qendërmbrojtës, një mesfushori dhe një apo dy sulmues, varësisht se çfarë lojtarësh janë”, ka theksuar Thaqi për KOHËN.

Malisheva tashmë ka nisur përgatitjet, që sipas trajnerit po shkojnë sipas planit. Ai thotë se të gjithë lojtarët janë të përkushtuar maksimalisht.

Malisheva planifikon që në fund të korrikut të udhëtojë për në Ohër për një fazë përgatitore.

“Synimi në edicionin e ri është që të jemi sa më lart në tabelë. Por sigurisht që do të varet edhe nga lojtarët që do të sjellim. Deri më tani jam i kënaqur, por nuk janë të mjaftueshëm. Jemi në pritje të përforcimeve të reja dhe në bazë të tyre i caktojmë objektivat”, ka shtuar Thaqi.

Dalja në Evropë mbetet një ëndërr për malishevasit.

“Deri më tani nuk e kemi cilësinë e mjaftueshme që të luftojmë për Evropë. Por nëse në ditët në vijim i marrim lojtarët që dëshirojmë, atëherë synimet do të rriten. Dhe rrjedhimisht, do të luftojmë për pozita që sigurojnë pjesëmarrjen në kupa evropiane”, ka shtuar trajneri malishevas.