Sport

Hajduku kërkon më shumë se tre milionë euro për Sahitin

Emir Sahiti pritet të largohet nga Hajduku i Splitit gjatë kësaj vere. Mediat kroate kanë bërë të ditur të martën se sulmuesi i krahut mund t’i bashkohet skuadrës gjermane Hamburg gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Ekipi që garon në Bundesliga 2 tash e disa kohë është në negociatat me drejtuesit e klubit kroat për të gjetur marrëveshjen për Sahitin.

Hamburgu ka ofruar tre milionë euro për t’i siguruar shërbimet e reprezentuesit të Kosovës.

Por kjo ofertë thuhet se është refuzuar nga drejtuesit e klubit kroat. Krerët e Hajdukut u kanë bërë me dije zyrtarëve të skuadrës gjermane se dëshirojnë mbi tre milionë euro për ta liruar lojtarin.

Sahiti ka kontratë me Hajdukun deri në vitin 2025.