Sport

Majlinda pas sukseseve në karrigen e trajneres: Po mësoj nga më i miri në botë

Majlinda Kelmendit po i ndodh që të niset për në tatami. Jo gjithnjë e ka në mendje se tani duhet të niset drejt këndit të trajneres e jo drejt arenës ku luftojnë xhudistet. Nuk e ka lehtë – rrugën për në tatami e ka bërë gjatë.

Ajo po mësohet me këtë ndryshim të madh në karrierë. Dhe po vazhdon ta mësojë zanatin e trajneres. Ende nuk e vlerëson veten të tillë. Trajnere.

Kampionia olimpike ndihet me fat. Është me fat që zejen e re po e mëson prej trajnerit më të mirë në botë.

Driton Kuka e ka udhëhequr Majlindën në karrierën e jashtëzakonshme si xhudiste. Tani po ia mëson sekretet e punës si trajnere. Dhe po i jep përgjegjësi shumë të mëdha.

Kampionia olimpike në xhudo ka udhëhequr në arenë gjysmën e ekipit të Kosovës në Lojërat Mesdhetare. Me Majlindën në kënd, përkatësisht në karrigen e trajneres, Laura Fazliu fitoi medalje të artë, Flaka Loxha medalje të bronztë, ndërsa Erza Muminoviq e Shpati Zekaj u renditën të shtatit. Trajneri Kuka natyrisht ka kontribuuar me këshilla nga publiku. Por ato nuk i ka ndalur as Majlinda nga karrigia e trajneres.

Ajo ka çka të përcjellë te xhudistët më të rinj. Ka një karrierë të jashtëzakonshme që përfshin medaljen e artë olimpike, dy tituj të botës, një medalje të bronztë botërore, katër tituj të Evropës, një medalje të bronztë evropiane. Lista e sukseseve të saj si xhudiste është shumë e gjatë. Dhe e gjatë pritet të jetë edhe si trajnere.

“Përvoja në Lojërat Mesdhetare ishte shumë e mirë, por edhe shumë stresuese”, ka thënë Majlinda për KOHËN, pas kthimit nga Algjeria. Lojërat Mesdhetare po mbahen në Oran dhe gara e xhudos nuk ishte tipike. Shikuesit ishin më afër, kishte shumë lëvizje rreth arenës dhe presioni për xhudistët joalgjerianë ishte goxha i madh.

“Jam shumë me fat që Toni më ka dhënë mundësinë që të jem afër tij. Jam shumë falënderuese për besimin në radhë të parë. Ne funksionojmë si ekip, por prapëseprapë po kam shumë stres kur po ulem në karrige. Duke hyrë me garues në arenë ende po më duket që jam duke hyrë për vete në luftë”, ka shtuar Majlinda.

Ajo vendosi që pas Lojërave Olimpike të Tokios, gushtin e kaluar, t’i japë fund karrierës si xhudiste. Pak javë më vonë u bashkua në shtabin teknik të Driton Kukës, që përbëhet edhe nga Fatos Tabaku.

Sa u takon garave, si trajnere nisi në një për fëmijë. Dhe Kuka menjëherë ia besoi udhëheqjen e xhudistëve në gara të rëndësishme për seniorë.

Në Lojërat Mesdhetare - ku Kosova i fitoi pesë medalje në xhudo, duke përfshirë tri të arta – ka ndodhur në dy raste që Toni e Majlinda të qëndrojnë bashkë në karriget e trajnerit. Toni në njërin tatami, Majlinda në tjetrin.

Majlinda vlerëson se në Oran janë realizuar pritjet që ishin nga ekipi i xhudos.

“Ndjenjë shumë e mirë të ndaj arenën me Tonin. Shumë përgjegjësi, por prapë ndjenjë shumë e mirë. Krenari”, thotë ajo.

Ajo vlerëson bashkëpunimin që ka, sidomos me xhudiste.

“Jam shumë e lumtur sepse po funksionojmë shumë mirë, sidomos me vajzat: Laurën, Flakën, Erzën. Më bën të ndihem mirë fakti që po e shoh progresin në gjërat që po i ushtrojmë bashkë. Është shumë me rëndësi që garuesit të kenë besim në ty, diçka që vajzat e kanë ndaj meje”, thotë Majlinda.

Ajo vazhdon të ndiejë mungesën e garave, ndonëse po bëhet një vit prej se i ka dhënë fund karrierës si xhudiste.

“Po më mungon shumë. Ka raste për shembull kur jam pas garuesit, pak para se të hyj në luftë dhe bëj veprime sikur të jem unë duke hyrë në luftë. Ndonjëherë them se mos ndoshta e kam përfunduar herët karrierën. Por kur po ushtroj xhudo po e shoh që nuk do të mundja më. Menjëherë po kam probleme ose me qafë, ose me bërryl, ose me gju dhe kështu po qetësohem”, tregon Majlinda.

Ajo vlerëson faktin që ekipi i Kosovës në xhudo po rritet. Është e lumtur që po dalin emra të rinj në skenë dhe ekipi po ka vazhdimësi.

Majlinda heziton ta quajë veten trajnere. Thotë se është ende pak herët.

“Unë jam asistente e Tonit. Ende nuk mund të them që jam trajnere. Jam shumë e nderuar që Toni më ka mbajtur afër edhe pas përfundimit të karrierës si garuese. Jam me fat që kam prej kujt të mësoj si trajnere. Po mësoj prej trajnerit më të mirë në botë”, thotë Majlinda Kelmendi.