Sport

Bakraçi, vetëm e parafundit në Lojërat Mesdhetare

Descriptive Text

Atletja Gresa Bakraçi ka udhëtuar me shpresa të mëdha në Lojërat Mesdhetare. Por nga Orani i Algjerisë do të largohet me rezultat jo të pritur.

Ajo të dielën mbrëma u rendit e parafundit në vrapimin 1500 metra. Në garë ishin 11 atlete, ndërsa Bakraçi u rendit e dhjeta. Kishte kohë prej 4:27.76 minuta. E fundit ishte Abir Reffas e Algjerisë me kohë prej 4:28.97 minuta. Ndërkohë e nënta ishte algjeriania tjetër, Amina Bettiche. Ajo kishte kohë prej 4:18.55 minuta. Pra gati dhjetë sekonda ishte më e shpejtë se Bakraçi.

Bakraçi, aktualisht atletja më e mirë në vend, nuk e ka arritur as rekordin personal. Rezultatin më të mirë, që e ka arritur këtë vit, e ka 4:20.56 minuta. Vrapimin në 1500 metra e fitoi francezja, Aurore Fleury me kohë prej 4:13.03 minuta. Federica Del Buono ishte e duyta me kohë 4:13.09 minuta. Ndërkohë medalja e bronztë i takon italianes tjetër, Ludovica Cavalli. Koha e saj ishte 4:13.37 minuta.

Gresa Bakraçi këtë vit ka vendosur disa rekorde dhe pritjet i kishte të mëdha për garën në Lojëra Mesdhetare. Ajo megjithatë ishte larg përfshirjes në luftë për medalje.