Sport

Nga largimi i Lukakut mund të përfitojë Broja 

Descriptive Text

Ish-mbrojtësi i Chelseat, Glen Johnson, u ka bërë thirrje “bluve të Londrës” që t’ia japin rastin Armando Brojës, përpara se të rrezikojnë me shpenzim prej 80 milionë funtesh për ta zëvendësuar Romelu Lukakun. 

Chelsea e transferoi Lukakun nga Interi për shumën rekorde prej 97.5 milionë eurosh në verën e kaluar, duke shpresuar se sulmuesi i fuqishëm do ta ndihmojë skuadrën në luftën për titull. 

Megjithatë, ai arriti të shënojë vetëm tetë gola në edicionin e parë pas rikthimit dhe është kthyer sërish tek Interi si i huazuar. Lëvizja u zyrtarizua të mërkurën.   
Johnson mendon se te Chelsea janë të pavendosur nëse do të shpenzojnë sërish shumë para në një sulmues në këtë afat kalimtar, pasi lëvizja me Lukakun shkoi keq. Ai mendon se skuadra londineze duhet t’ia japë shansin Brojës. 

“Mendoj se Chelsea do të hezitojë në shpenzimin e parave të shumta sërish, marrë parasysh faktin e asaj që ka ndodhur me transferimin e Romelu Lukakut”, ka thënë ai për GGRecon. 

“Nëse do të varej nga unë, do t’ia jepja shansin Armando Brojës, përpara se t’i shpenzoja 80 milionë funte në zëvendësimin e tij”. 
Broja do t’i mbushë 21 vjet në shtator, por ai tashmë ka pasur edicion të mirë si i huazuar te Southamptoni, duke shënuar nëntë gola në të gjitha garat. 
Johnsoni ka pranuar se sulmuesi i Shqipërisë duhet të përmirësohet edhe më shumë në aspektin personal, por pret që Broja të shënojë më shumë gola nëse atij i jepet rasti me ekipin e parë të Chelseat. 

“Më parë do të gaboja me ndonjë futbollist që e kam tashmë, sesa t’i shpenzoja gabimisht 80 milionë funte. Broja është teknikisht i mirë para portës, por nuk e di se sa i mirë është në përgjithësi. Ai ka shënuar disa gola fantastik për Southamptonin, por le të përballemi me të vërtetën, Southamptoni nuk është Chelsea. Ai do të kishte edhe më shumë shanse për shënim te Chelsea dhe është aq i mirë teknikisht sa që do të mund të shënonte edhe më shumë sezonin tjetër”, shtoi Johnson. 

Chelsea ka provuar që t’i mbyllë marrëveshjet me Raheem Sterlingun dhe Raphinhan në ditët e fundit, pasi Thomas Tuchel po e shikon mundësinë të ketë më shumë opsione në fazën e sulmit. Asnjëri nga ta nuk është tipik sulmues. 

Johnson ka sugjeruar që Tucheli duhet ta mbajë Brojën e të mos e shesë atë te West Hami, Evertoni apo Newcastle, skuadra të cilat kanë shprehur interesim për futbollistin e ri e të talentuar. 

Pak para përfundimit të sezonit të kaluar, tekniku gjerman Tuchel kishte thënë se Brojën e do në skuadër para nisjes së sezonit të ri. Në rast se ai e tregon veten, do të qëndrojë me pjesën tjetër të grupit për edicionin e ardhshëm. 

“Ata do të kthehen, kjo është e sigurt. I dua që t’i kem në fazën parasezonale. Ne më pas do të vendosim para sezonit se çfarë do të ndodhë. Gjithçka do të varet nga Broja dhe Gallagher – mënyra se si ata do të stërviten”, ishte shprehur Tuchel. 

Sulmuesi shtatlartë Broja ka zhvilluar 38 ndeshje në të gjitha garat në edicionin e kaluar. Gjashtë gola i pati në Premier League, një në Kupën FA dhe dy në Kupën EFL.

Kontribuoi edhe me një asistim në Premier League. Është zhvilluar te të rinjtë e Chelseat, ndërsa për një periudhë ishte i huazuar edhe te Vitesse në Holandë. Kishte shënuar 11 gola dhe pati tri asistime me skuadrën holandeze. 

Me Shqipërinë po ashtu pati paraqitje të mira në disa ndeshje. Në 14 takime sa i ka zhvilluar gjithsej me “kuqezinjtë”, ka katër gola të shënuar. Debutoi në shtator të vitit 2020.