Sport

Kosova ngec në rrjetë, asnjë fitore në tri sporte

Kosova ka ngecur në sportet e rrjetës në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Të hënën e të martën sportistët e Kosovës kanë garuar në tenis, pingpong e badminton, por rezultati nuk ishte as për së afërmi ai që është shpresuar. Kosova, përkatësisht sportistët e saj, nuk e kanë shënuar asnjë fitore në të tri sportet që zhvillohen me rrjetë në mes të fushës.

Të hënën, tenisti Vullnet Tashi u ndal në rundin e parë. Ai pësoi nga tuniziani Aziz Ouakaa me rezultatin 2:0 në sete. Seti i parë përfundoi 6:3, ndërsa i dyti 6:2. Duelin e tij nga afër e përcollën kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Por përkrahja nga drejtuesit e sportit nuk ndihmoi shumë. Rezultati dëshmon këtë.

E marta për Kosovën ishte ditë e garave në sporte të rrjetës. Nisi me Rinor Gllarevën që po fiton përvojë në sportin e ri në vend – badmintonin. Gllareva për herë të parë u paraqit në garë të këtij niveli dhe mungesa e përvojës erdhi në shprehje. Ai humbi 2:0 nga algjeriani Mohamed Abderrahime Belarbi. Madje mori fare pak pikë. Setin e parë e humbi 21:2, ndërsa të dytin 21:1.

Për mungesë të përvojës në gara ndërkombëtare, megjithatë, nuk mund të ankohen tenistët e pingpongistët. Ajo megjithatë u shërbeu fare pak të martën.

Tenistja Vesa Gjinaj humbi 2:0 në sete nga turkja Ilay Yoruk. Gjinaj shfaqi fare pak, duke humbur setet me rezultatin 6:1.

Më mirë nuk kaluan as pingpongistët, ndonëse ata paraqiten rregullisht në gara ndërkombëtare. Fatih Karabaxhaku humbi tri duelet që i zhvilloi të martën. Pësoi 4:0 në sete nga francezi Bastien Rembert, 4:2 nga Federico Giardi i San Marinos dhe 4:0 nga Niagol Ivanov Stoyanov i Italisë. Pra i fitoi dy sete gjithsej.

Ndërkohë, Kreshnik Mahmuti humbi 4:0 në sete nga greku Ioannis Sgouropoulos. Me rezultat maksimal pësoi edhe nga serbi Marko Jevtiq. Në fund pësoi 4:0 edhe nga Aboubaker Bourass i Tunizisë.

Pra në tri sporte, Kosova mund të mburret për dy sete të fituara në një duel të humbur.

Tri ditët e para të garave nuk ishin shumë të suksesshme për Kosovën, që ende nuk ka bërë vend në listën e medaljeve.